Tetor_6

Tetor 2022


Një pjesë e madhe e lavdisë së Perëndisë është lumturia e Tij.

Për apostullin Pal ishte e pakonceptueshme që Perëndisë t’i mohohet gëzimi i pafundmë dhe ende të jetë plotësisht i lavdishëm. Të jesh pafundësisht i lavdishëm do të thotë të jesh pafundësisht i lumtur. Ai përdori frazën: “lavdisë të të lumit Perëndi”, sepse është e lavdishme që Perëndia të jetë i lumtur ashtu siç është–pafundësisht i lumtur.

Lavdia e Perëndisë qëndron më së shumti në faktin që Ai është i lumtur përtej çdo përfytyrimi.

Ky është ungjilli: “ungjilli i lavdisë të të lumit Perëndi.” Ky është një citim nga Bibla! Është lajm i mirë që Perëndia është në mënyrë të lavdishme i lumtur.

Askush nuk do të donte ta kalonte përjetësinë me një Perëndi të palumtur. Nëse Perëndia nuk është i lumtur, atëherë synimi i ungjillit nuk është një synim i lumtur, dhe kjo do të thotë se nuk do të ishte fare ungjill.

Por, në fakt, Jezusi na fton ta kalojmë përjetësinë me një Perëndi të lumtur kur thotë: “Hyr në gëzimin e zotit tënd” (Mateu 25:23). Jezusi jetoi dhe vdiq, në mënyrë që gëzimi i Tij–gëzimi i Perëndisë–të jetë në ne dhe që gëzimi ynë të jetë i plotë (Gjoni 15:11; 17:13). Prandaj, ungjilli është “ungjilli i lavdisë të të lumit Perëndi”.

Lumturia e Perëndisë është së pari dhe më së shumti lumturi në Birin e Tij. Prandaj, kur ne marrim pjesë në lumturinë e Perëndisë, ne marrim pjesë në vetë kënaqësinë që Ati ka në Birin.

Kjo është arsyeja pse Jezusi na e bëri Atin të njohur. Në fund të lutjes së Tij madhështore, te Gjoni 17, Ai i tha Atit të Tij: “I bëra të njohin emrin tënd dhe do të bëj ta njohin, që dashuria, me të cilën ti më deshe mua, të jetë në ta dhe unë në ta” (Gjoni 17:26). Ai e bëri të njohur Perëndinë, në mënyrë që kënaqësia e Perëndisë në Birin e Tij të mund të ishte në ne dhe të bëhej kënaqësia jonë në Të.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>