dev spurgeon 12
Janar 2023

Një mbrëmje para... dora e ZOTIT u vu mbi mua…

Ezekieli 33:22

Kur bëhet fjalë për gjykimin, mund të ndodhë edhe kjo, dhe nëse është kështu, më lejo të shqyrtoj arsyen e një vizite të tillë dhe ta pranoj atë si prej dorës së Tij. Nuk jam i vetmi që është ndëshkuar në mes të natës; le t’i nënshtrohem me gëzim vuajtjes dhe të përpiqem me kujdes që të kem dobi prej ndëshkimit. 

Mirëpo, dorën e Zotit mund ta ndiej edhe në një mënyrë tjetër, duke më forcuar zemrën dhe duke më lartuar shpirtin drejt gjërave të përjetshme. Ah, sikur ta ndieja Zotin duke u marrë me mua në këtë mënyrë! Një ndjesi pranie dhe banimi hyjnor e ngre shpirtin tim drejt qiellit si mbi krahët e shqiponjave. 

Në çaste të tilla mbushemi përplot me gëzim frymëror dhe i harrojmë shqetësimet e brengat e tokës; e padukshmja është e afërt, ndërsa e dukshmja e humbet forcën që ka mbi ne. Shërbëtori-trup, pret në rrëzë të kodrës, ndërsa mjeshtri-shpirt adhuron në majë të saj, në prani të Zotit. Oh, sikur të më jepet një kohë e shenjtë përbashkësie hyjnore sonte! Zoti e di se sa shumë nevojë kam për të tani. 

Hiret e mia janë ligështuar, prishja ime tërbohet, besimi im është i dobët dhe përkushtimi im është i ftohtë; të gjitha këto janë arsyet se përse dora e Tij shëruese duhet të jetë mbi mua. Dora e Tij mund të më ftohë zjarrminë e ballit dhe të më qetësojë pështjellimin e zemrës që më rreh aq fort. Ajo dorë e djathtë e lavdishme, që i dha formë dheut, mund ta ripërtërijë mendjen time; dora e palodhur, që mban shtyllat vigane të rruzullit të tokës, mund të ma lartojë shpirtin; dora e dashur, që i përqafon gjithë shenjtorët, do të përkujdeset për mua, ndërsa dora e fuqishme, që e bën armikun copë-copë, ngadhënjen mbi mëkatet e mia. 

Përse të mos e ndiej atë dorë tek më prek sonte? Eja, shpirti im, drejtoju Perëndisë tënd me lutjen e fuqishme, sepse duart e Jezusit u tejshpuan për shpengimin tënd, dhe me siguri do të ndiesh mbi ty të njëjtën dorë që dikur preku Danielin dhe e uli në gjunjë, që të mund të shihte vegimet e Perëndisë. 


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin