I mjeri unë që banoj në Meshek dhe që strehohem në çadrat e Kedarit!
Psalmi 120:5
Si i krishterë që je të bie të jetosh në mes një bote të paperëndishme, dhe më kot vajton: “I mjeri unë!”. Jezusi nuk u lut që ti të nxirreshe nga kjo botë, dhe nuk ke pse i dëshiron gjërat për të cilat Ai nuk u lut. Është shumë herë më mirë të mbështetesh në fuqinë e Zotit për t’u përballur me vështirësinë dhe duke vepruar kështu ta përlëvdosh Atë. Armiku i mban përherë sytë hapur se mos dallon ndonjë luhatje në sjelljen tënde; ja pse duhet të jesh shumë i shenjtë. Kujtoji vetes se sytë e të gjithëve janë mbi ty, dhe se prej teje pritet më shumë sesa prej bashkëkohësve të tu! Përpiqu të mos krijosh asnjë mundësi për t’u kritikuar nga të tjerët! Qoftë mirësia jote e vetmja e metë që ata të mund të gjejnë në ty! Ashtu si edhe në rastin e Danielit, detyroji ata të thonë: “Nuk do të gjejmë kurrë ndonjë pretekst kundër Danielit, veçse po ta gjejmë kundër tij në vetë ligjin e Perëndisë të tij” (Danieli 6:5).
Përpiqu të jesh i dobishëm, si edhe konsekuent! Mbase mund të mendosh: “Në qoftë se do të gjendesha në një pozitë më të favorshme, do të mund t’i shërbeja kauzës së Zotit, por këtu ku ndodhem, nuk mund të bëj dot asgjë për Të.” Sa më të këqij të jenë njerëzit mes të cilëve jeton, aq më tepër nevojë kanë ata për përpjekjet e tua! Nëse janë të mbrapshtë, aq më shumë nevojë kanë për ty, që t’i sjellësh në udhë të mbarë; dhe nëse janë të shthurur, aq më shumë nevojë kanë që t’ua kthesh zemrat krenare tek e vërteta. E ku tjetër mund ta kalojë mjeku kohën, përveçse mes të sëmurëve? E ku mund t’i fitojnë më lehtë gradat ushtaraku, përveçse në frontin më të vështirë të betejës? Dhe kur të jesh lodhur nga grindjet dhe mëkati që has në çdo anë, kujtoji vetes se të gjithë shenjtorët kanë duruar të njëjtat sprova. Ata nuk u shpunë në qiell të shtrirë mbi shtretër të rehatshëm, prandaj, as ti mos shpreso ta kesh më të lehtë sesa ata udhën tënde drejt qiellit. Atyre iu desh ta rrezikonin jetën në fushën e betejës, kështu edhe ti nuk do të kurorëzohesh pa hequr më parë pjesën tënde të vuajtjeve si ushtar i mirë i Jezu Krishtit. Prandaj, qëndro i palëkundshëm në besim, sillu si burrë, ji i fortë!
© dritez.al 2024