spurgeon dev 04 shtator pm
Shtator 2023

Do të keni peshore të sakta, pesha të sakta, efa të saktë, hin të saktë.

Levitiku 19:36

Peshat, peshoret dhe masat duhet të ishin në përputhje me standardin e drejtësisë. Pa dyshim që asnjë i krishterë nuk ka nevojë që t’i kujtohet kjo gjë në biznesin e tij, sepse edhe sikur drejtësia të zhdukej nga e tërë kjo botë, ajo do të gjente strehë në zemrat besimtare. Mirëpo, ka edhe peshore të tjera të cilat peshojnë gjëra morale dhe frymërore, dhe këto duhen kontrolluar shpesh. 

A janë vallë vërtet të sakta peshoret me të cilat peshojmë karakterin tonë dhe atë të njerëzve të tjerë? A nuk i kthejmë vallë gramët e mirësisë sonë në kilogramë dhe kilogramët e cilësive të shkëlqyera të personave të tjerë në gramë? Vallë, a janë graduar saktë peshoret me të cilat i peshojmë sprovat dhe hallet tona? Pali, i cili vuajti shumë më tepër sesa ne, i konsideronte vuajtjet e tij si të lehta, kurse ne shpesh i konsiderojmë tonat sikur të ishin të rënda—me siguri duhet të ketë diçka që nuk shkon me peshat! 

Duhet ta shohim me kujdes këtë çështje, para se të na akuzojnë përpara gjykatës qiellore për tregti të pandershme. Po peshat me të cilat masim besimin tonë doktrinar, a janë vërtet të sakta? Doktrinat e hirit duhet të kenë të njëjtën peshë në ne, si edhe porositë e tjera të Fjalës, as më pak e as më shumë; por kam frikë se shumë njerëzve, peshorja u anon ose nga njëra anë, ose nga tjetra. Është një çështje jetike që të peshosh me ndershmëri dhe vërtetësi. 

I krishterë, bëj kujdes në këtë pikë! Masat me të cilat vlerësojmë detyrimet dhe përgjegjësitë tona duken disi të vogla. Kur një i pasur jep për punën e Perëndisë të njëjtën shumë që japin edhe skamnorët, a mendon se gjërat janë peshuar saktë? Kur pastorët lihen pas dore, a bëhet fjalë atëherë për tregti të ndershme? Kur të vobektët përbuzen, ndërkohë që të pasur të paperëndishëm trajtohen me admirim, a është kjo vallë një peshore e saktë? Lexues, mund ta zgjasnim listën edhe më tepër, por parapëlqejmë të ta lëmë ty si detyrë të mbrëmjes, që të identifikosh dhe të shkatërrosh të gjitha peshoret, peshat dhe masat e pasakta në jetën tënde!


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>