Prill 2020
Kujto Ungjillin
Njësoj si shumica prej jush, edhe unë jam izoluar në papafingon time, duke mos dalë jashtë, duke u distancuar nga njerëzit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për mua, sepse kam system imunitar të dobët, dhe bëj pjesë në kategorinë shumë të rrezikuar të kësaj pandemie që është shpërndarë në të gjithë globin. Këtu janë pesë mënyra, mbi të cilat jam inkurajuar të reflektoj, se si kjo pandemi na drejton te ungjilli.
1. Është mirë të përballemi me mashtrimin e pavarësisë dhe vetëmjaftueshmërisë njerëzore.
Mjaftoi një virus i vetëm për të na bllokuar. Unë jetoj në Center City, Filadelfia. Ai është kthyer në një qytet fantazmash: kishat janë mbyllur, bizneset po ashtu, restorantet janë kyçur, familjet janë ndarë nga njëra-tjetra, miqtë nuk mund të mblidhen më. Na habit dhe na kujton se jemi krijuar për të qenë të varur, të varur nga Krijuesi.
Nuk ekzistojnë gjëra të tilla si pavarësia dhe vetëmjaftueshmëria njerëzore. Në fakt, kjo më kujton se përparimi, pra, lëvizja e hirit në zemrat dhe jetët tona, nuk çon nga varësia në pavarësi por nga pavarësia në varësi ndaj Perëndisë. Sa më shumë rritesh në hir, aq më shumë kupton mençurinë e fjalës; aq më shumë njeh zemrën tënde; aq më shumë kupton marrëzinë e kësaj bote; aq më shpejt mund të nxitosh me gëzim drejt varësisë së nënshtruar në Zotin.
2. Fuqia dhe lavdia sovrane e Perëndisë shkëlqen më fort kur ne jemi të dobët dhe kur jeta duket se ka dalë jashtë kontrollit.
A nuk është e mrekullueshme se, edhe pse për ne gjërat duken jashtë kontrollit—dhe në shumë aspekte, nga ana njerëzore, janë jashtë kontrollit—dikush qëndron i ulur në fronin e universit? Ai është kuptimi i gjithçkaje të mençur, të mirë, të vërtetë, të shenjtë, të drejtë dhe të plotfuqishme, dhe Ai kontrollon me kujdes botën. Jo gjithmonë e kuptojmë se çfarë do të thotë kjo, por është dikush që sundon mbi botën, që në këto çaste nuk ka frikë, nuk është i dobët, as i hutuar, nuk ka mistere dhe asgjë nuk e kap mat. Jo gjithmonë e kuptojmë përse Ai bën atë që bën, por ne e njohim Atë dhe e dimë se çfarë i ka premtuar fëmijëve të vet.
3. Pandemia më e madhe globale nuk është COVID-19. Është mëkati.
Ndërsa kjo pandemi është përhapur në të gjitha shtetet me rradhë derisa i gjithë globi është prekur dhe po izolohet në përpjekje për të zvogëluar fuqinë dhe përhapjen e saj, kjo na kujton se ka një pandemi shumë më të madhe, më të errët dhe më të rrezikshme. Ajo prek këdo, madje që prej lindjes. Është infeksioni më i thellë dhe më i errët. Është sëmundja më e keqe. Quhet mëkat. Është shumë herë më i rrezikshëm dhe shkatërrues se ç’mund të jetë ndonjëherë COVID-19.
Ja pjesa e mrekullueshme: ka një kurë. Perëndia pa botën e Tij me mëshirë dhe dashuri të madhe, dhe vendosi të mos na linte të vdisnim për shkak të kësaj sëmundje. Ai dërgoi Birin e Tij që të jetonte jetën që nuk e jetonim dot, të vdiste në atë mënyrë që vdekja e tij të pranohej dhe për t’u ngritur sërish, duke mposhtur kështu mëkatin dhe vdekjen që të kishte një kurë për këtë sëmundje vdekjeprurëse. Kura gjendet në personin dhe veprën e Jezu Krishtit, përmes hirit të Tij të mrekullueshëm. Festo për hirin. Festo që diçka më e rrezikshme dhe vdekjeprurëse se kjo pandemi ka një kurë prej fuqisë së hirit të Jezusit. Sa gjë e mirë!
Është një premtim i tillë se do të vijë një ditë ku gjëra të tilla do të marrin fund përgjithmonë dhe ne do të jemi në një vend ku s’do të ketë më sëmundje e as vuajtje.
4. Megjithëse jemi ndarë nga të tjerët, asgjë s’mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë.
Të gjithë po zbatojmë distancimin social tani dhe për fat të keq, duhet të ndahemi dhe nga njëri-tjetri të dielave gjithashtu. Ndërsa unë dhe Luella ishim ulur në dhomën e vogël me televizor dhe po ndiqnim shërbesën e kishës online, nuk ishte njësoj. Nuk është njësoj si të takohesh me vëllezërit dhe motrat, t’i përqafosh ngrohtësisht, të shtrëngosh duart, të këndosh së bashku, të dëgjosh zërin e të tjerëve, njerëz që i këndojnë njëri-tjetrit, duke i kujtuar njëri-tjetrit hirin e ungjillit. Nuk është njësoj. Dhe të gjithë ne e ndiejmë dhimbjen e ndarjes.
Është e mrekullueshme të kujtosh se asnjë pandemi— asgjë tjetër në të gjithë krijimin—nuk mund të na ndajë nga Perëndia dhe dashuria e Tij e pafundme. Në fakt, në këto çaste Perëndia nuk veçohet nga ne. Nuk na e kthen kurrizin, por afrohet pranë nesh. Ai afrohet pranë atij që është i dobët, pranë atyre që e kanë zemrën e thyer. Ai afrohet në dashuri dhe hir, duke na fuqizuar për t’u përballur me gjërat që nuk mundemi t’i përballojmë pa Të. Miku yt më i mirë, personi yt më i dashur, shoqëruesi yt më i afërt, nuk mban distancë midis teje dhe Atij. Sa gjë e bukur është kjo!
5. Nuk jemi vetëm.
Shkrimi na kujton se në këto çaste nuk duhet t’i mbajmë vetëm këto barrë mbi shpatulla. Kur jemi të lodhur dhe në merak, kemi një vend ku mund të shkojmë. Jezusi na mirëpret, që kur të jemi të lodhur të shkojmë tek Ai dhe të gjithë merakun ta lëmë tek Ai. Ai do të mbajë barrët tona, sepse Ai vërtetë kujdeset për ne. Në këto çaste tundohemi që të dyshojmë në mirësinë e Perëndisë, të dyshojmë në mençurinë e Tij, në fuqinë e Tij dhe në aftësinë e Tij për të qenë në kontroll. Pra, ajo çfarë e bën vdekjeprurëse këtë, është fakti se, kur fillon të dyshosh në mirësinë e Perëndisë, ndalon së shkuari tek Ai për ndihmë, sepse nuk mund të shkosh për ndihmë te dikush, të cilit nuk i beson më.
Lufto me gënjeshtra të tilla që armiku të pëshpërit në vesh: “Ku është Zoti yt tani? Çfarë po bën Ai tani? Përse nuk është këtu? Përse nuk përgjigjet?” Bibla thotë: “Perëndia është afër. Ai kujdeset. Ai dëgjon. Ai përgjigjet. Mos vrapo larg Tij. Vrapo për tek Ai.” Patjetër që ti mund të pyesësh: “Pse?” Ndoshta nuk do të marrësh tani përgjigjen e plotë të këtyre pyetjeve; por e përsëris, ne e dimë kush është Perëndia, e dimë çfarë na ka premtuar, e dimë se ky çast na tregon sa shumë kemi nevojë për dikë më të madh se ne, që është më i fuqishëm se ne, që ka kontroll më shumë se ne, që drejton gjërat që ne nuk mundemi, që nuk është kurrë i dobët, kurrë i lodhur dhe nuk mundohet kurrë. Vrapo tek Ai me të gjitha barrët e tua.
Mirënjohja është Mburojë
Një nga mburojat më të fuqishme kundër frikës është mirënjohja. Sa më e prirur drejt mirënjohjes të jetë zemra jote, sa më shumë të numërosh bekimet, aq më pak mendja jote në ato çaste do t`i drejtohet frikës dhe pyetjeve ‘po sikur?. Po sikur më mirë të shohësh drejt të gjitha gjërave për të cilat sot mund të jesh falënderues, të gjitha provat e sigurimit të Perëndisë, të kujdesit të Tij, të kujtosh të gjithë njerëzit që të duan, të gjitha ato gjëra që i ke marrë për të mirëqena—po sikur të numërosh bekimet? Po sikur të lejosh lavdërimin të mundë ankimin dhe mirënjohjen të heshtë murmuritjen? Premtimi i fundit i ungjillit është ky: që në botën e sotme do të kemi mundime, mundime të llojeve të ndryshme (Gjoni 16:33).
Ky çast është mundim fizik, një mundim që mund të infektojë, dobësojë dhe, për disa prej nesh, edhe të shkatërrojë trupin. Por ka një premtim se do të vijë një ditë ku gjëra të tilla do të marrin fund përgjithmonë dhe ne do të jemi në një vend ku s’do të ketë më sëmundje e as vuajtje. Shpresa e këtij premtimi nuk është një dëshirë e zbehtë ëndërrimtare për ata që kanë përqafuar një lloj mashtrimi fetar. Shpresa në premtimin e Perëndisë është pritshmëria e sigurt në një rezultat të garantuar. Po vjen, parajsa po vjen, dhe është e jotja me anë të hirit.
Do të vijë një kohë, dhe pse e vështirë për t’u imagjinuar, kur do ta kujtojmë këtë çast si një mundim të shkurtër ndërsa do të jemi duke përjetuar një botë të përsosur, trupa të përsosur, zemra të përsosura dhe një marrëdhënie të përsosur me Perëndinë. Gjithçka do të jetë siç duhet dhe do të funksionojë siç duhet, në paqe dhe drejtësi për të gjithë përjetësinë. Ky çast i frikshëm na kujton të vërtetat më të çmuara të ungjillit. Në vend që të fokusohemi te pyetjet ‘po sikur’, a s’do të ishte më mirë të meditonim rreth premtimeve të së ardhmes së lavdishme? Zoti të bekoftë ndërsa e bën këtë gjë. Qëndro i sigurt, izolohu dhe kujto Jezusin dhe lavdinë e ungjillit dhe hirit të Tij.
-Paul Tripp është autori i librit ‘Vuajtje: Shpresa e Ungjillit Kur Jeta Nuk Ka Kuptim’. Ky artikull është botuar fillimisht te paultripp.com së bashku me të tjerë artikuj me përmbajtje për COVID-19.
Paul David Tripp (DMin, Seminari Teologjik Westminister) është një pastor, autor dhe folës i konferencave ndërkombëtare. Ai është gjithashtu presidenti i “Paul Tripp Ministries”. Ai ka shkruar një sërë librash të njohur rreth jetës së krishterë, përfshirë këtu: Çfarë Prisje?; Vuajtje; Prindërimi; dhe Mëshirat e Mëngjesit të Ri . Ai jeton në Philadelphia me gruan e tij, Luella, dhe kanë katër fëmijë të rritur. Për më shumë informacione dhe burime, vizito paultrippministries.org.
Kategoria: Ungjilli në kohën e Virusit
Burimi: https://www.crossway.org/articles/5-ways-the-covid-19-pandemic-points-us-to-the-gospel/?utm_source=Crossway+Marketing&utm_campaign=c2cb067094-20200404+-+Marketing+General+-+COVID-19+Gospel&utm_medium=email&utm_term=0_0275bcaa4b-c2cb067094-303131117
Përktheu: Sara Gjana Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!
©️ dritez.al 2020