spurgeon dev 05 dhjetor am
December 2023

Lypni dhe do t’ju jepet.

Mateu 7:7

Në Angli ekzistonte dikur një vend, që tani është më, ku çdo kalimtari i jepej një franxhollë buke nëse ai e lypte atë. Kushdo që të ishte udhëtari në fjalë, mjaftonte që vetëm të trokiste në derën e bujtinës “Kryqi i Shenjtë” (St. Cross Hospital), dhe franxholla e bukës bëhej e tija, që ai ta shijonte. Jezu Krishti i do aq shumë mëkatarët, saqë ka ndërtuar një bujtinë “Kryqi i Shenjtë”, me qëllim që sa herë që një mëkatar të jetë i uritur, atij i duhet që vetëm të trokasë atje dhe nevojat do t’i plotësohen.

Në fakt, Ai i ka bërë gjërat edhe më mirë: në këtë Bujtinë të Kryqit gjendet një banjë, dhe kurdoherë që një shpirt është i ndotur dhe i fëlliqur, ai mund të shkojë te ky burim i efektshëm dhe të pastrohet. Nuk ka pasur kurrë një mëkatar që të ketë hyrë në atë burim dhe t’i ketë ndodhur që të mos jetë pastruar nga njollat e tij. Mëkatet që ishin të kuqe e ndezur dhe të purpurt janë zhdukur të gjitha, dhe kështu mëkatari u bë më i bardhë se bora.

Sikur kjo të mos mjaftonte, ngjitur me këtë Bujtinë të Kryqit gjendet një garderobë, dhe aty një mëkatar, thjesht duke u paraqitur si i tillë, mund të vishet nga koka te këmbët. Në qoftë se dëshiron të jetë ushtar, atij do t’i sigurohen jo vetëm tesha të përditshme, por do t’i jepet edhe një armaturë që do ta mbulojë nga shputat e këmbëve dhe deri te maja e kokës. Në qoftë se kërkon një shpatë, do t’ia japin edhe atë, madje edhe një mburojë. Atij nuk do t’i mohohet asgjë e dobishme. Paret e xhepit nuk do t’i mungojnë për sa të jetë gjallë, dhe do të ketë një trashëgimi të përjetshme thesaresh të lavdishme me të hyrë në gëzimin e Zotit të vet. 

O shpirti im, nëse të gjitha këto gjëra mund të fitohen thjesht duke trokitur në portën e mëshirës, atëherë, trokit fort këtë mëngjes, dhe kërkoji gjëra të mëdha Zotit tënd bujar! Mos u largo nga froni i hirit pa e paraqitur edhe nevojën më të fundit përpara Zotit dhe pa qenë i bindur me anë të besimit se ato do të të plotësohen!

Nuk ka pse të kesh ndruajtje për ta pranuar ftesën e Jezusit. Nuk duhet të të pengojë asnjë mosbesim kur Jezusi premton. Asnjë ftohtësi zemre nuk duhet të të frenojë kur bekime të tilla janë për t’u marrë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin