spurgeon dev 05 dhjetor pm
Dhjetor 2023

Pastaj Zoti më bëri të shoh katër kovaçë.

Zakaria 1:20

Në vegimin e përshkruar në këtë kapitull, profeti pa katër brirë të tmerrshëm. Ata shtynin në këtë anë dhe në atë anë, duke rrëzuar më të fortët dhe më të fuqishmit; dhe kur profeti pyeti: “Çfarë janë këta?”, mori këtë përgjigje: “Këta janë brirët që kanë shpërndarë Judën.” Përpara tij u shfaqën simbolet e atyre fuqive që kishin shtypur Kishën e Perëndisë. Ja ku ishin katër brirë, sepse kisha sulmohet nga të katër anët. Profeti kishte arsye të fortë që të ndihej i tmerruar; mirëpo, papritmas u shfaqën përpara tij “katër kovaçë”. Atëherë, ai pyeti: “Pse kanë ardhur këta, çfarë do të bëjnë?”. Këta ishin njerëzit që kishte gjetur Perëndia për t’i thyer ata brirë copë e çikë.

Perëndia do të gjejë gjithmonë njerëz për ta bërë punën e Tij, madje do t’i gjejë ata në kohën e duhur. Kovaçët nuk ishin gjëja e parë që pa profeti, sepse ndërhyrja e tyre ende nuk ishte bërë e nevojshme, por në fillim pa “brirët” dhe pastaj “kovaçët”. Zoti gjen përherë aq njerëz sa i nevojiten. Ai nuk gjeti tre kovaçë, por katër; ishin katër brirë, prandaj nevojiteshin katër ustallarë.

Perëndia gjen njerëzit e duhur—jo katër njerëz që të merren me shkresurina, jo katër arkitektë që të bëjnë projekte, por katër kovaçë që të bëjnë punën. Qëndroni të qetë, ju që dridheni për Kishën e Perëndisë, se kur “brirët” të ngrihen kërcënues, atëherë do të gjenden edhe “kovaçët”! Nuk duhet të shqetësoheni për asnjë çast për dobësinë e Kishës së Perëndisë; diku në një qoshe mund të jetë duke u rritur reformatori i guximshëm që do t’i tronditë kombet.

Krisostomët mund të dalin nga shkollat tona “Ragged Schools”*, dhe Agustinët nga terri më i thellë i skamjes së Londrës. Zoti e di se ku t’i gjejë shërbëtorët e Vet. Diku fshihen në pritë me mijëra luftëtarë të fuqishëm, dhe me të dhënë Ai një urdhër, ata do të hidhen në betejë; “...sepse përfundimi i betejës varet nga ZOTI” (1 i Samuelit 17:47), dhe Ai do ta arrijë fitoren. Le t’i qëndrojmë besnikë Krishtit, dhe Ai do të ngrejë për ne një mbrojtje në çastin e duhur, qoftë ky çast dita e nevojës sonë vetjake, ose një kohë rreziku për Kishën e Tij. 

Shënim i redaktorit: “Ragged Schools" ishin shkolla në lagjet më të varfra të Britanisë së shekullit të 19-të, të dedikuara për arsimimin falas të fëmijëve dhe të të rinjve. Përveç mësimit, atyre u ofrohej edhe ushqim, veshje dhe shërbime të tjera.


Botuar me leje: https://www.ligonier.org/learn/articles/jesus-christ-lamb-god
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>