spurgeon dev 04 shtator am
September 2023

“Po, dua, qofsh i pastruar!”

Marku 1:41

Errësira përpara agut të kohërave e dëgjoi Perëndinë të thoshte: “U bëftë drita!”, dhe u bë menjëherë dritë. Edhe Fjala e Zotit Jezus është e barabartë në madhështi me atë fjalë të lashtë fuqie. Shpengimi, porsi Krijimi, ka fjalën e vet të fuqishme. Jezusi flet dhe fjala e Tij bëhet menjëherë realitet. Lebra nuk i dorëzohej asnjë mjekimi njerëzor, por ia mbathi me të katra me të dëgjuar fjalët e Zotit: “Po, dua!”. Sëmundja nuk shfaqi shenja shpresëdhënëse apo simptoma rimëkëmbjeje; natyra nuk dha asnjë kontribut për shërimin e saj. Mirëpo, fjala, pa ndihmën e askujt, e bëri vetë gjithë punën aty për aty dhe një herë e përgjithmonë. Mëkatari është në një gjendje edhe më të mjeruar sesa i lebrosuri; le të ndjekë atëherë shembullin e këtij të fundit dhe të shkojë te Jezusi, “duke iu lutur, duke rënë në gjunjë” përpara Tij! Le ta ushtrojë atë pak besim që ka, edhe pse me fjalë mund të mos shkojë më larg sesa: “Po të duash, ti mund të më pastrosh.” 

Nuk duhet pasur asnjë dyshim për sa i përket rezultatit të përgjërimit. Jezusi i shëron të gjithë ata që vijnë tek Ai, dhe nuk nxjerr jashtë asnjë prej tyre. Kur lexojmë tregimin nga i cili është nxjerrë vargu i këtij mëngjesi, ia vlen që të shqyrtojmë me kujdes faktin që Jezusi e preku të lebrosurin. Ky person i papastër i kishte shkelur të gjitha rregullat e ligjit ceremonial dhe ishte futur me forcë në shtëpi, por Jezusi jo vetëm që nuk e qortoi, por, përkundrazi, çau rrugën përmes ligjit për t’u takuar me të. Në fakt, Ai bëri një shkëmbim me të lebrosurin, sepse ndërsa e pastroi këtë të fundit, me atë prekje, sipas rregullave të Levitikut, Ai u ndot.

Po kështu, Jezu Krishti u bë mëkat për ne, edhe pse Ai Vetë nuk njihte mëkat, që ne të bëheshim drejtësia e Perëndisë në Të. Ah, sikur mëkatarët e mjerë të shkonin te Jezusi, duke besuar në fuqinë e veprës së Tij të bekuar zëvendësuese, sa shpejt që do ta njihnin fuqinë e prekjes së Tij të hirshme! Ajo dorë që shumoi bukët, që shpëtoi Pjetrin tek po mbytej, që i mban fort shenjtorët e përvuajtur, që kurorëzon besimtarët—është e njëjta dorë që do të prekë çdo mëkatar kërkues dhe do ta pastrojë atë sa hap e mbyll sytë. Dashuria e Jezusit është burimi i shpëtimit. Ai na do, e hedh vështrimin mbi ne, na prek, dhe ne jetojmë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin