key verses teaching bible

Shtator 2023                                Nga: Crossway 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

2 e Timoteut 4:1-4

Unë po të përbej, pra, përpara Perëndisë dhe Zotit Jezu Krisht, që ka për të gjykuar të gjallë e të vdekur, në dukjen e tij dhe në mbretërinë e tij: prediko fjalën, ngul këmbë me kohë e pa kohë, bind dhe qorto, këshillo me çdo zemërgjerësi e mësim. Sepse do të vijë koha kur njerëzit nuk do ta durojnë doktrinën e shëndoshë, por, sipas ëndjeve të veta, do të mbledhin grumbull mësues për të gudulisur veshët dhe do t’i largojnë veshët nga e vërteta e do t’i kthejnë drejt përrallave.

Përbetimi më i lartë. Duke qenë se Pali pak më parë i kishte kujtuar Timoteut mësimin që kishte marrë që nga fëmijëria dhe fuqinë e prejardhjes hyjnore të Shkrimit (2 e Tim. 3:15-17), tani ai e nxit ta predikojë këtë fjalë (2 e Tim. 4:2). Kapitulli i 3-të përfundon me një referencë për të qenë të përkryer e të pajisur, dhe 2 e Timoteut 4:1-8 e përshkruan konkretisht këtë “vepër të mirë” të udhëheqësisë, në të cilën Timoteu duhet ta tregojë veten tashmë të përkryer: 2 e Timoteut 4:1-2 prezanton përbetimin që ndiqet më pas nga arsyeja se përse ai është i nevojshëm (2 e Tim. 4:3-4); vargu 5 i rikthehet përbetimit duke e përballur me të keqen e situatës aktuale; dhe te 2 e Timoteut 4:6-8, Pali jep një shembull tjetër për të theksuar seriozitetin e këtij përbetimi, duke i kujtuar Timoteut se vdekja e vet është e pashmangshme.

Pali i thotë Timoteut “po të përbej” nga një perspektivë solemne eskatologjike, duke i kujtuar se sjellja e tij orientohet nga vështrimi i Perëndisë dhe i Krishtit, se Krishti (jo njerëzit përreth, qofshin armiq apo bashkëbesimtarë) është ai i cili “do ta” gjykojë, “dhe se Krishti me siguri do të kthehet” (“dukjen e tij”). Mbretëria “e Krishtit” është realiteti më suprem për të cilin duhet të shqetësohet Timoteu.

Vetë përbetimi shqiptohet përmes pesë foljeve në mënyrën urdhërore (dhe katër të tjera te 2 e Tim. 4:5). “Prediko fjalën” i referohet fjalës “Shkrimi” (shih 2 e Tim 3:16), pra, përfshin predikimin e “lajmit të mirë” të Ungjillit në një kuptim të gjerë e të ankoruar biblikisht. “Ungjilli” për Palin nuk është thjesht një prezantim ungjillëzues; Ungjilli është mesazhi thelbësor (gjetur në gjithë tërësinë e Shkrimit; krah. me 2 e Tim. 3:16), që mund të zbatohet për jobesimtarët (thirrje për besim) ose për besimtarët (thirrje për të vazhduar në besim dhe për të vënë në praktikë mësimet e këtij mesazhi). Për këtë arsye, mënyra për të predikuar Ungjillin është duke shpjeguar Shkrimet. “Ngul këmbë me kohë e pa kohë.” Kur të leverdis edhe kur nuk të leverdis. “Bind dhe qorto, këshillo” do të thotë të shfaqësh gjithçka që përfshin Shkrimi – doktrinën, udhëzimet, ndreqjet dhe inkurajimin. Kjo pjesë inkurajon edhe njëherë të qenët të duruar kur japim mësim të tillë (shih 2 e Tim. 2:24-26).

“Do të vijë koha.” Duke qenë se Pali e nxit Timoteun se si të reagojë kur këto gjëra të ndodhin, është e qartë se ai nuk po i referohet thjesht një kohe në të ardhmen e largët, por një situate me të cilën ai pret që Timoteu të përballet (ose që tashmë po përballet; shih 2 e Tim. 3:1; 1 e Tim. 4:1-3). “Për të gudulisur veshët” tregon një dëshirë të zjarrtë për risi, që çon në kërkimin e mësuesve të cilët do t’u thonë njerëzve atë që ata duan të dëgjojnë (“sipas ëndjeve të veta”), në vend të mësuesve ortodoksë (të vërtetë) si Timoteu.

Të shtyrë nga dëshirat e veta, njerëzit do të jenë të gatshëm të pranojnë “përralla” ëndërrimtare në vend të së vërtetës.

Romakëve 12:4-8 

Sepse, sikurse në një trup kemi shumë gjymtyrë dhe të gjitha gjymtyrët nuk kanë të njëjtin funksion, kështu edhe ne, megjithëse jemi shumë, jemi një trup në Krishtin dhe secili gjymtyrë të njëri-tjetrit. Dhe, duke pasur dhunti të ndryshme sipas hirit që na u dha, nëse kemi profecinë, të profetizojmë sipas masës së besimit; nëse kemi shërbim, le t’i kushtohemi shërbimit; po kështu mësuesi të jepet pas mësimit; dhe ai që këshillon, le t’i kushtohet këshillimit; ai që ndan, le ta bëjë me thjeshtësi; ai që kryeson le të kryesojë me zell; ai që bën vepra mëshire, le t’i bëjë me gëzim.

Ndryshimet dhe uniteti mes besimtarëve në kishë ilustrohen nga krahasimi me trupin njerëzor. Ashtu si trupi i njeriut është një me shumë “gjymtyrë” (pjesë trupi, anësi), ashtu edhe kisha është e bashkuar, edhe pse përbëhet nga shumë pjesëtarë. Lidhur me temën e kishës si “trup”“Krishtin”, shih gjithashtu 1 e Korintasve 12 dhe Efesianëve 4:4, 12-16.

Llojshmëria e trupit është e dukshme nga dhuntitë e shumta që Perëndia i ka dhënë kishës. Lidhur me “dhunti” të profecisë, shih te Veprat 21:4; 21:10-11; 1 e Korintasve 12:10; Efesianëve 2:20; 1 e Thesalonikasve 5:20-21. “Sipas masës së besimit.” Pali i udhëzon profetët të flasin vetëm kur kanë besimin ose bindjen se Fryma e Shenjtë po shfaq vërtet diçka dhe jo të shkojnë përtej besimit që u ka dhënë Perëndia duke u përpjekur t’u bëjnë përshtypje të tjerëve.

Galatasve 6:6 

Ai që merr mësim në fjalën, le ta bëjë pjesëtar të të gjitha të mirave të tij atë, që e mëson.

Pali e udhëzon kishën t’i mbështesë mësuesit materialisht – me ushqim, para apo përmes “të gjitha të mirave” të përshtatshme.

Kolosianëve 3:16-17

Fjala e Krishtit të banojë në ju me begati; në çdo urtësi, mësoni dhe këshilloni njëri-tjetrin me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke i kënduar Zotit me hir në zemrat tuaja! Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t’i bëni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar nëpërmjet tij Perëndinë Atë.

Të veshim virtytet e Krishtit. Pali u bën thirrje kolosianëve të bëjnë një jetesë të shenjtë, në përputhje me identitetin e tyre të ri. Besimtarët janë zgjedhur nga Perëndia dhe qëndrojnë para tij si të shenjtët e tij të dashur. Ata duhet të jetojnë sipas asaj që janë në Krishtin.

Me shumë mundësi, “Fjala e Krishtit” i referohet mësimit për Krishtin, por edhe vetë fjalëve të tij, të cilat ishin pjesë e traditave gojore të transmetuara te besimtarët në vitet e hershme pas ngjitjes së Krishtit në qiell, përpara se të ishin shkruar ungjijtë. “Psalme, himne dhe këngë frymërore” janë një mënyrë si “të mësoni dhe këshilloni”. Adhurimi i përbashkët kryen funksionin mësimdhënës përmes teksteve të këngëve. Kjo mënyrë ishte veçanërisht e rëndësishme për traditën gojore të kohës së Palit.

2 e Timoteut 2:15

Ji i zellshëm të dalësh përpara Perëndisë si i sprovuar, si punëtor që nuk ka pse të turpërohet, që ndan drejt fjalën e së vërtetës.

Te 2 e Timoteut 2:14-16, Pali prezanton mësimet e rreme (2 e Tim 2:16) dhe shpjegon se si duhet të reagojë Timoteu ndaj tyre, dhe si të jetë ndryshe nga mësuesit e rremë. Te 2 e Timoteut 3:1-9, ai i përshkruan mësuesit e rremë edhe më gjerësisht. Pasi e ka nxitur Timoteun për qëndrueshmëri dhe fillon tani ta adresojë drejtpërdrejt problemin.

Timoteu përballë mësuesve të rremë. Pali krahason Timoteun me mësuesit e rremë: 2 e Timoteut 2:14-19 krahason shërbesën besnike të Timoteut me shërbesën e pavlerë të kundërshtarëve; 2 e Timoteut 2:20-21 jep një ilustrim të kësaj; ndërsa te 2 e Timoteut 2:22-26, Pali e nxit Timoteun të mos tërhiqet nga pasionet rinore dhe të refuzojë diskutimet e marra, si dhe e këshillon për mënyrën si duhet të trajtojë armiqtë e tij.

Bëj më të mirën tënde, p.sh.: “Ji i zellshëm” (greqisht spoudazo). Besimtari duhet të kërkojë me zell aprovimin e Perëndisë. Një nga mënyrat për ta bërë këtë është të sigurohemi se Shkrimi përqaset drejt, që është e kundërta e diskutimeve të marra të mësuesve të rremë.

Jakobi 3:1  

Vëllezër të mi, mos u bëni shumë mësues, duke ditur se do të marrim një gjykim më të ashpër.

T’i vësh fre gjuhës. Jakobi vendos parimin e përgjithshëm se gjërat e vogla mund të kenë pasoja të mëdha (Jakobi 3:1-5a), dhe më pas e zbaton këtë parim më konkretisht te fuqia e gjuhës për të shkatërruar (Jakobi 3:5b-12).

Të ishe “mësues” në kishën e hershme, ishte tepër e rëndësishme (Veprat 2:42; Romakëve 12:7; 1 e Korintasve 12:28; Efesianëve 4:11), dhe ata që ishin ambiciozë e kërkonin statusin e mësuesit për arsye të gabuara. Megjithatë, sa më të mëdha përgjegjësitë aq më të mëdha pritshmëritë nga Perëndia (Luka 12:48; Hebrenjve 13:17). Për këtë, mësuesit do të marrin “një gjykim më të ashpër” (fjalë për fjalë “gjykim më të madh”), duke qenë se japin llogari për më shumë.

Mateu 28:19-20

“Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj të gjitha kombet duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, duke i mësuar të mbajnë të gjitha sa ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen”.

Porosia e Madhe  e Jezusit të ngritur. Si Zoti i ringjallur, Jezusi i nxit ndjekësit e tij të bëjnë dishepuj nga të gjitha grupet e njerëzve nëpërmjet predikimit të Ungjillit të mbretërisë.

“Duke i mësuar” është një mjet përmes të cilit dishepujt e Jezusit transformohen vazhdimisht, për t’u bërë më të ngjashëm me Krishtin (krah. me Mateu 10:24-25; Romakëve 8:29; 2 e Korintasve 3:18). “Të mbajnë.” Të binden. “Unë jam me ju gjithë ditët.” Jezusi përmbyll mandatin dhe Mateu përmbyll Ungjillin e tij me një element kyç të dishepullimit: praninë e Mjeshtrit, që është “Perëndia me ne” (krah. me Mateu 1:23).

2 e Timoteut 2:1-2 

Ti, pra, biri im, forcohu në hirin që është në Krishtin Jezus; dhe ato që dëgjove nga unë përpara shumë dëshmitarëve, besojua njerëzve besnikë, që do të jenë të aftë të mësojnë edhe të tjerë.

“Ato që dëgjove nga unë.” Në këtë letër, Pali thekson mesazhin që Timoteu ka marrë prej tij (shih 2 e Tim. 1:13; 2:8). Ndërsa Pali përballet me vdekjen, e inkurajon Timoteun t’ia besojë Ungjillin “njerëzve besnikë”, të cilët do të mësojnë më pas të tjerët, në mënyrë që Ungjilli të ruhet për brezat e ardhshëm.

Ligji i Përtërirë 6:4-7

Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është Zoti i vetëm. Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde. Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj, do të mbeten në zemrën tënde; do t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh.

“Dëgjo, Izrael.” Ky varg quhet Shema në hebraisht, që do të thotë “dëgjo”. “ZOTI, Perëndia ynë, është ZOTI i vetëm.” Vetëm Zoti është Perëndia i Izraelit, “i vetmi”. Kjo është një deklaratë eksklusiviteti, jo e unitetit të brendshëm të Perëndisë. Çështja ngrihet nga diskutimi i kapitullit 4 dhe nga urdhërimi i parë. Edhe pse Ligji i Përtërirë nuk e argumenton teorikisht monoteizmin, i kërkon Izraelit të shqyrtojë një monoteizëm praktik (Ligji i Përtërirë 4:35). Kjo bie në kundërshtim të fortë me kanaanenjtë politeistë.

“Ta duash.” Shih Ligji i Përtërirë 4:37. “Me gjithë.” Përderisa vetëm Zoti është Perëndia i Izraelit, çon në kërkesën për përkushtimin e plotë dhe ekskluziv të Izraelit ndaj tij. “Zemër…shpirt…forcën.” Të gjithë izraelitët duhet të duan Zotin me gjithë qenien e tyre, “ky është urdhërimi i parë dhe i madhi” (Mateu 22:38). Te Mateu 22:37, Marku 12:30 dhe Luka 10:27, Jezusi përfshin edhe “mendjen”. Në hebraishten e hershme, “zemra” përfshinte atë që ne e quajmë “mendje”. “Forca” lidhej me energjinë dhe aftësinë.

“Do të mbeten në zemrën tënde.” Ligji i Përtërirë 4:39. Këtu kërkohet një zemër që e do plotësisht Zotin. Ligji i Përtërirë paraprin besëlidhjen e re, ku fjalët e Perëndisë do të shkruhen me të vërtetë dhe me efektshmëri në zemër (Jeremia 31:31-34; gjithashtu Ligji i Përtërirë 30:6-8).

Titit 2:1-8 

Por ti fol ato, që i kanë hije doktrinës së shëndoshë: pleqtë të jenë të përkorë, dinjitozë, mendjegjerë, të shëndoshë në besim, në dashuri, në durim. Gjithashtu edhe plakat të kenë sjellje ashtu si u ka hije shenjtoreve, jo shpifëse, jo robinja ndaj verës së shumtë, por mësuese të së mirës, që t’i mësojnë të rejat të duan burrat e tyre, të duan bijtë e tyre, të jenë mendjegjera, të dëlira, t’u kushtohen punëve të shtëpisë, të mira, të nënshtruara ndaj burrave të tyre, që fjala e Perëndisë të mos blasfemohet. Nxiti gjithashtu të rinjtë që të jenë të matur, duke e nxjerrë në çdo gjë veten tënde si shembull veprash të mira, duke treguar në doktrinë pastërti, dinjitet, paprishshmëri, një të folur të shëndoshë e të padënueshme, që kundërshtari të turpërohet e të mos ketë të flasë asgjë të keqe për ju.

Pali përshkruan “ato, që i kanë hije doktrinës së shëndoshë” (Titit 2:1), pra, lloji i jetesës që përputhet me Ungjillin. Disa argumentojnë se sjellja që urdhërohet këtu, nuk është kërkesë universale, por kulturore, e lidhur me shekullin e parë. Këta njerëz argumentojnë se baza për këtë sjellje është shmangia e ofendimit (shih Titit 2:5, 8, 10). Megjithatë, vargu 1 nuk e rrënjos këtë sjellje në idetë kulturore, por në vetë “doktrinën e shëndoshë”. Pali e trajton sjelljen e kishës sipas grupeve tipike të strukturës së familjes (pleqtë, plakat, të rejat, të rinjtë, shërbëtorët), duke i kushtuar rëndësi të veçantë moshës dhe gjinisë. Edhe pse ka ngjashmëri në pritshmëritë për secilin grup, ka edhe dallime.

“Por ti”, tregon kontrastin e fortë që duhet të ekzistojë mes njerëzve, veprat e të cilëve hedhin poshtë pretendimin se e njohin Perëndinë (Titit 1:16), dhe mes Titit, i cili duhet t’i mësojë njerëzit të jetojnë në përputhje me doktrinën e shëndoshë, në mënyrë që të konfirmojnë pretendimin se e njohin Perëndinë, jo ta hedhin poshtë atë.

Udhëzimet për gratë e moshuara dhe vajzat e reja janë të ndërthurura, sepse një pjesë e rolit të grave të moshuara të krishtera është të trajnojnë (greqisht, sophronizo “të japësh udhëzime përmes sjelljes së mirë dhe gjykimit të drejtë”) vajzat e reja. Temat lidhur me mësimin e grave të moshuara te Titi 2:4-5 janë shumë praktike dhe të përqendruara në sferën familjare. Të punuarit në shtëpi nuk ndalon të punuarit jashtë shtëpisë (krah. me Fjalët e Urta 31:16, 18, 24), por tregon se Pali pret që gratë të mbajnë përgjegjësinë kryesore për kujdesin e përditshëm të shtëpisë dhe fëmijëve. Megjithatë, kjo duhet bërë duke qenë të nënshtruara ndaj burrave të tyre, duke mbështetur rolin udhëheqës së burrave në familje. Edhe pse mund të përfshiheshin udhëzime të tjera, fokusi është në faktin se gratë më të moshuara duhet t’i ndihmojnë vajzat e reja të jenë gra dhe nëna të perëndishme.


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-teaching-the-bible/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2023


Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të qenët të lumtur
10 vargje kyç mbi engjëjt
>