February 2023

“Vend strehimi për t’i shpëtuar hakmarrësit të gjakut.”

Jozueu 20:3

Flitet se në tokën e Kanaanit, qytetet e strehimit ishin vendosur në një mënyrë të atillë, saqë çdokush mund të arrinte në secilin prej tyre, maksimumi brenda një gjysme dite. Ashtu si ato, edhe fjala e shpëtimit tonë është afër nesh; Jezusi është një shpëtimtar i pranishëm dhe rruga për tek Ai është e shkurtër. Mjafton që thjesht të heqim dorë nga meritat tona dhe të kapemi fort pas Jezusit, që Ai të jetë gjithçka për ne. Për sa u takon udhëve për në qytetet e strehimit, na thuhet se ato mirëmbaheshin rregullisht, ishin ndërtuar ura mbi çdo lumë dhe çdo pengesë ishte hequr, me qëllim që njeriu që rendte për t’i shpëtuar hakmarrjes, të mund të arrinte lehtësisht në qytet. 

Një herë në vit, pleqtë ecnin përgjatë udhëve për të këqyrur gjendjen e tyre, me qëllim që në to të mos kishte asgjë që mund ta pengonte arratisjen e dikujt dhe të bënte që, për shkak të vonesës, ai të arrihej nga hakmarrësit e gjakut dhe të vritej. Me sa hir largohen pengesat në rrugën tonë nga premtimet e Ungjillit! Në të gjitha kryqëzimet dhe kthesat kishte shenja treguese, të cilat shpallnin qartazi: “Për në qytetin e strehimit!”. 

E gjitha kjo është një tablo e rrugës për te Jezu Krishti. Nuk është rruga gjarpëruese e ligjit; nuk ka të bëjë me zbatimin e kësaj, asaj apo tjetrës rregull; në fakt, është një rrugë e drejtë: “Beso dhe jeto!”. Është një rrugë kaq e vështirë sa asnjë njeri, që e mban veten për të drejtë, nuk mund të ecë mbi të, por aq e lehtë, sa çdo mëkatar, i cili e di që është i tillë, përmes saj mund të gjejë udhën për në qiell. Me të mbërritur në rrethinat e qytetit, personi që kërkonte strehim, ishte i sigurt; nuk i duhej që të ishte përtej mureve—sepse vetë periferitë i ofronin mbrojtje të mjaftueshme. 

Mëso nga kjo, pra, se nëse thjesht e prek cepin e rrobës së Krishtit, ti do të shërohesh; dhe do të jesh i sigurt, me t’u kapur fort pas Tij, me një “besim sa një kokërr sinapi”.

Pak hir i vërtetë na siguro
Vdekjen e gjith’ mëkatit tonë.

Prandaj, mos humb kohë; mos u vono rrugës, sepse hakmarrësi i gjakut është këmbëshpejtë; dhe mund të të jetë vënë pas, madje edhe këtë mbrëmje!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin