spurgeon dev 04 dhjetor am
December 2023

“Unë kam një popull të madh në këtë qytet.”

Veprat e Apostujve 18:10

Ky varg duhet të shërbejë si inkurajim i madh për ta shpallur Ungjillin, sepse mes njerëzve në komunitetet tona—njerëzve që nuk duan t’ia dinë, rebelëve, moskokëçarësve—Perëndia ka një popull të zgjedhur, i cili duhet të shpëtohet. Kur e shpie Fjalën tek ata, e bën këtë ngaqë Perëndia të ka caktuar për të qenë lajmëtari i jetës për shpirtrat e tyre, dhe ata duhet ta marrin atë, sepse kështu thotë dekreti i paracaktimit.

Ata janë po aq të shpenguar nga gjaku, sa edhe shenjtorët që qëndrojnë përpara fronit të amshueshëm. Ata i përkasin Krishtit, e megjithatë, ndoshta i duan dëfrimet egoiste dhe e urrejnë shenjtërinë; por nëse Jezu Krishti i ka blerë, ata do të bëhen të Tijtë.

Perëndia nuk është i pabesë që ta harrojë çmimin e paguar nga i Biri. Ai nuk do të lejojë kurrë që vdekja e Tij zëvendësuese të mbetet një gjë e vdekur dhe e paefektshme. Me dhjetëra mijëra të shpenguar ende nuk kanë rilindur, por do të rilindin; dhe ky është ngushëllimi ynë kur shkojmë tek ata me Fjalën jetësjellëse të Perëndisë. 

Për më tepër, Krishti lutet për jobesimtarët përpara fronit. “Unë nuk lutem vetëm për ta”, thotë Ndërmjetësuesi i madh, “por edhe për ata që do të besojnë në mua me anë të fjalës së tyre” (Gjoni 17:20). Duke qenë shpirtra të gjorë dhe të paditur, ata nuk dinë fare se si të luten për veten, por Jezusi lutet për ta. Emrat e tyre gjenden në parzmoren e Tij, dhe pa kaluar shumë kohë, ata do ta përulin gjurin e tyre kryeneç, duke nxjerrë psherëtimën e pendesës përpara fronit të hirit.

Momenti i paracaktuar nuk ka ardhur ende; por kur të vijë, ata do të binden, sepse Perëndia do t’i bëjë të Vetët. Ata duhet të binden, sepse nuk mund t’i rezistosh Frymës kur zbret me mbushulli fuqie—ata duhet të bëhen shërbëtorët e zellshëm të Perëndisë së gjallë. “Populli yt do të afrohet vetë ditën e pushtetit tënd” (Psalmi 110:3). Ai “do të bëjë të drejtë shumë veta” (Isaia 53:11). “Ai do të shikojë frytin e mundimit të shpirtit të tij dhe do të jetë i kënaqur” (Isaia 53:11). “[Unë] do t’i jap pjesën e tij midis të mëdhenjve, dhe ai do ta ndajë plaçkën me të fuqishmit” (Isaia 53:12).


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin