“…atëherë thashë: ‘Ja, po vij (në rrotullën e librit është shkruar rreth meje), për të bërë, o Perëndi, vullnetin tënd.’”
HEBRENJVE 10:7
Kur prindërit dhe gjyshërit i gugatin një anëtari të porsalindur të familjes së tyre, ata shpesh janë pjesë e shpresave dhe planeve për atë që do të arrijë kjo vajzë e vogël ose se kush do të bëhet ky djalë i vogël. Megjithatë, do të ishte mjaft e jashtëzakonshme nëse fëmijët e vegjël do të shpallnin synimet dhe qëllimet e tyre në jetë. Sidoqoftë, kjo është një mënyrë tjetër në të cilën Krishti është unik: Ai hyri në botë duke shpallur: “Ja, po vij për të bërë, o Perëndi, vullnetin tënd.”
Kur Jezusi ishte dymbëdhjetë vjeç, prindërit e Tij e gjetën duke biseduar në tempull me mësuesit dhe udhëheqësit fetarë. Maria dhe Jozefi e kishin kërkuar Atë për tri ditë, pa u shkuar mendja që ta kërkonin atje, dhe u hutuan; mirëpo ai u përgjigj: “…Nuk e dinit se më duhet të jem në shtëpinë e Atit tim?” (Luka 2:49). Ai e kuptoi qëllimin e Tij të qartë që në ditët e Tij të hershme.
Cili ishte vullneti i Atit të cilin Krishti erdhi për ta përmbushur? Në Bibël na thuhet se, duke dërguar Jezusin, Perëndia i dha popullit të Tij Atë që do t’i plotësonte të gjitha kërkesat e ligjit nëpërmjet nënshtrimit të plotë, dhe që më pas do të vuante dënimin e mëkatit, për t’i çliruar burrat dhe gratë nga skllavëria e tij. Ardhja e Shpëtimtarit ishte planifikuar që nga përjetësia dhe ishte premtuar në të gjithë Besëlidhjen e Vjetër, në “rrotullën e librit”. Jezusi, Ai që hyri në botë si foshnjë në një grazhd — është vetë përmbushja e shpëtimit tonë.
Në çdo çast të jetës së Tij, qoftë kur po tundohej nga Satani, qoftë kur po përjetonte agoni në Kopshtin e Gjetsemanit, Jezusi e dinte dhe e mbajti mend qëllimin e Tij. Ai e kuptoi që ishte aty sipas vullnetit të Atit. Edhe pse u lut që kupa e Tij e vuajtjes të largohej prej Tij, Ai iu nënshtrua Atit me bindje të përsosur. Ashtu si çdo njeri tjetër, Ai u tundua që t’i largohej vullnetit të Atit, por prapëseprapë Ai u lut: “Megjithatë, jo si dua unë, por si do ti” (Mateu 26:39-46).
Jezusi nuk ishte i paqartë në lidhje me arsyen e ardhjes së Tij — dhe për shkak se Ai jetoi sipas vullnetit të Atit, ne do të bashkohemi me Të në përjetësi, duke u gëzuar në gjithçka që Ai bëri në vendin tonë.
Punët e duarve nuk plot’sojn’
Gjithçka ligji Yt kërkon;
E t’punoja pa pushim,
Dhe t’mos thahet loti im,
M’katin tim nuk e laj dot;
Më shpëton me hir, o Zot.
~ Augustus Toplady, “Rock of Ages” (1776).
Sot, ju dhe unë mund të jetojmë për të bërë vullnetin e Perëndisë, jo nga frika e ndësh- kimit nëse nuk bindemi, por me besimin se tashmë jemi të bekuar në Krishtin. Duke qenë se Ai u bind gjithmonë, ne jemi të falur kur dështojmë të bëjmë të njëjtën gjë dhe jemi të lirë ta ndjekim me gëzim vullnetin e Atit tonë — jo sepse duhet, por sepse dëshirojmë ta bëjmë këtë gjë.
