“…Zoti i tha: ‘Ngrihu dhe shko në rrugicën që quhet “E drejtë” dhe kërko në shtëpinë e
Judës një njeri me emrin Saul, nga Tarsi; sepse, ja, ai po lutet.’”
VEPRAT E APOSTUJVE 9:11
Në Bibël, Hanania nuk përmendet para shfaqjes së tij te Veprat e Apostujve 9. Më pas, ai përmendet kalimthi vetëm një herë (Veprat e Apostujve 22:12). Mbi bazën e të gjitha të dhënave, ai nuk ishte një njeri i jashtëzakonshëm që kishte bërë gjëra të mëdha sipas standardeve të botës. Megjithatë, Perëndia pa brenda tij një zemër besnike dhe zgjodhi ta përdorte atë në një mënyrë të jashtëzakonshme për kthimin në besim të Saulit (i cili më pas u bë i njohur si Pali).
Ashtu si Hanania, edhe ti mund të mos kesh bërë gjëra të jashtëzakonshme në jetën tënde, mund të mos kesh shkuar në vende të mahnitshme ose të kesh fituar ndonjë lloj popullariteti të madh. Mirëpo Perëndia punon duke e vendosur dorën e Tij mbi individë të caktuar dhe i përdor ata për të përmbushur vullnetin e Tij. Ne kemi për detyrë që thjesht të jemi si Hanania, me veshë të hapur dhe vullnet të gatshëm për të dëgjuar dhe për t’iu bindur Perëndisë tonë.
Në këtë varg, theksi nuk është në mënyrën se si Perëndia i foli Hananias, por në mënyrën se si u përgjigj Hanania: “Ja ku jam, o Zot.” Veshi i tij ishte i akorduar për ta dëgjuar Perëndinë. Po veshi yt? A e dëgjon Perëndinë të të flasë përmes fjalës së Tij? A është qëndrimi i zemrës sate i tillë që, për çfarëdo që Ai të thërret të bësh, të thuash: “Ja ku jam, o Zot”?
Përgjigjja e Hananias ndaj Perëndisë është e jashtëzakonshme kur marrim parasysh se çfarë po e thërriste Perëndia të bënte dhe për kë. Ai thotë: “…unë dëgjova nga shumë njerëz rreth këtij burri [Saulit] se sa të këqija u bëri shenjtorëve të tu në Jerusalem”, dhe ai e dinte se në Damask Sauli kishte “pushtet… për të lidhur të gjithë ata që thërrasin emrin tënd” (Veprat e Apostujve 9:13-14). Megjithatë, ai zgjodhi vullnetarisht t’i bindej thirrjes së Perëndisë, pavarësisht nga çdo frikë ose mëri që kishte ndaj Saulit dhe reputacionit të tij. Ai dëgjoi dhe veproi. Sa shpesh gjejmë justifikime për mosveprimin tonë si reagim ndaj thirrjes së Perëndisë? Sa shpesh fshihemi pas frikës sonë ose jetojmë me kujdes të tepruar, duke harruar se “Perëndia nuk na dha një frymë burracakërie, por fuqie dhe dashurie, dhe maturie” (II Timoteut 1:7)? Hanania e shfaqi këtë frymë të fuqishme përmes bindjes së tij.
Kultura jonë vlerëson emrat e mëdhenj, arritjet e mëdha dhe vlerësimet e mëdha. Perëndisë nuk i interesojnë të njëjtat gjëra. Hanania nuk kishte ndonjë emër të madh apo famë të madhe; ai thjesht kishte një vesh të hapur ndaj zërit të Perëndisë dhe një vullnet të bindur ndaj urdhrit të Tij. Kjo gjë rezultoi në një jetë të sakrifikuar në dobi të shërbimit të Perëndisë. Atë ditë, kjo do të thoshte që Hanania ishte i pari që i dha Saulit në mënyrë të prekshme dashurinë dhe hirin e Perëndisë, ndërsa i zgjati dorën dhe e quajti “vëlla” (Veprat e Apostujve 9:17). Prandaj, edhe pse ai mund të jetë një personazh i dorës së dytë në Bibël, ju dhe unë mund të mësojmë shumë prej tij. Në këtë jetë, mund të të jepet pak ose aspak lavdërim për besnikërinë tënde ndaj Krishtit. Mund të ndërmarrësh rreziqe dhe të bësh sakrifica në shërbim të Tij dhe të ndiesh se nuk po ndryshon shumë gjëra dhe se askush nuk po i vë re. Por shumë më mirë se çdo gjë që mund të japë kjo botë, ti mund të presësh me padurim ta dëgjosh Perëndinë të të thotë: “Të lumtë, skllav i mirë dhe besnik!” (Mateu 25:21), ndërsa do të hysh në mbretërinë e qiejve. Asnjë punë e mirë e bërë në shërbimin e Tij nuk shkon kurrë dëm. Ai i gërsheton të gjitha në historinë e madhe të shpëtimit.
