January 2023

“ZOTI drejtësia jonë.”

Jeremia 23:6

Oh, ç’paqe, qetësim, lehtësim dhe lirim i madh e mbush të krishterin sa herë që mendon rreth drejtësisë së përsosur të Krishtit! 

Sa shpesh ndodh që shenjtorët e Perëndisë të shkurajohen e të trishtohen! Nuk mendoj se ata duhet të bien në këtë gjendje. Nuk mendoj se do t’u ndodhte kështu, po të mund t’i mbanin sytë gjithnjë te fakti që janë të përsosur në Krishtin. Ka disa që flasin gjithë kohës për prishjen dhe shthurjen e zemrës, si dhe për ligësinë e lindur të shpirtit. Kjo është krejtësisht e vërtetë, por pse të mos shkojmë pak më tutje dhe t’i kujtojmë vetes se jemi të përsosur në Krishtin Jezus. 

Nuk është për t’u habitur që ata të cilët e kanë mendjen vetëm te prishja e tyre, kanë një pamje kaq të pikëlluar; por me siguri që do të na përmirësohej humori, po t’i kujtonim vetes se jemi “në Krishtin Jezus, i cili u bë për ne … prej Perëndisë, drejtësi” (1 e Korintasve 1:30). Nuk ka shqetësim që të më mundojë, madje, edhe sikur vetë Qoftëlargu të më sulmonte! Megjithëse, përpara se të ngjitem ne qiell, mund të ketë shumë gjëra të tjera për t’u përballuar në këtë jetë, të gjitha ato janë përmbushur për mua në besëlidhjen e hirit hyjnor; nuk ka asgjë që të më mungojë në Zotin tim, sepse Krishti e ka kryer veprën e Tij një herë e përgjithmonë. Mbi kryq, Ai tha: “U krye!”, dhe nëse u krye, atëherë jam i plotë në Të dhe mund të ngazëllohem me gëzim të patregueshëm dhe plot me lavdi: “...duke pasur jo drejtësinë time nga ligji, por atë përmes besimit në Krishtin: drejtësia prej Perëndisë, me anë të besimit” (Filipianëve 3:9). 

Në këtë anë të qiellit nuk do të gjeni njerëz më të shenjtë, sesa ata që e pranojnë doktrinën e drejtësisë së Krishtit në zemrat e tyre. Kur besimtari thotë: “Unë jetoj vetëm në Krishtin; mbështetem vetëm tek Ai për shpëtimin tim; dhe besoj se sado i padenjë qofsha, jam prapëseprapë i shpëtuar në Krishtin”, atëherë ngrihet si motiv falënderimi ky mendim i tij: “Vallë, për kë tjetër mund të jetoj përveç Krishtit? A nuk do ta dua Atë dhe a nuk do t’i shërbej Atij, duke qenë i shpëtuar nga meritat e Tij?”. “Sepse dashuria e Krishtit na shtrëngon” (2 e Korintasve 5:14), “me qëllim që ata të cilët jetojnë, të mos jetojnë më për veten e tyre, po për atë që vdiq e u ringjall për ta” (2 e Korintasve 5:15). Nëse jemi shpëtuar me anë të drejtësisë që na është llogaritur, ne duhet ta çmojmë si sytë e ballit drejtësinë që na është dhënë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin