…që ne të mos i shërbejmë më mëkatit.
Romakëve 6:6
I krishterë, ç’punë ke ti me mëkatin? A nuk të ka kushtuar ai mjaftueshëm tashmë? Fëmijë i djegur, a do të luash me zjarrin? Çfarë?! Kur i ke shpëtuar një herë dhëmbëve të luanit, ç’do që shkon prapë te strofulla e tij? A nuk ke vuajtur shumë nga gjarpri i moçëm? A nuk i kishte helmuar ai dikur të gjitha venat e tua? Atëherë, a do të luash mbi vrimën e kobrës, dhe përse e fut prapë dorën në strofullën e dragoit?
Mos ji kaq i marrë dhe budalla! A të fali ndonjëherë mëkati kënaqësi të vërtetë? A gjete lumturi të shëndoshë në të? Nëse është kështu, nëse vërtet të pëlqen një gjë e tillë, ktheju angarisë sate të vjetër dhe vëri prapë vargonjtë. Mirëpo, meqenëse mëkati nuk ta dha kurrë atë që premtoi se do të të jepte, por të mashtroi me gënjeshtra, mos bjer në grackën e gjuetarit të vjetër: por ruaje lirinë, dhe kujtimi i zgjedhës së dikurshme, mos të lëntë të biesh sërish në lak!
Është diçka që ngrihet kundër planeve të dashurisë së përjetshme, të cilat, që të gjitha, kanë për synim dëlirësinë dhe shenjtërinë tënde; prandaj, mos dil kundër qëllimeve të Zotit tënd!
Është edhe një tjetër mendim që duhet të të mbajë larg mëkatit. Mëkati i të krishterëve nuk vjen kurrë me një çmim të lirë; ata i paguajnë shumë shtrenjtë paudhësitë e tyre. Shkelja prish paqen e ndërgjegjes, zvetënon përbashkësinë me Jezusin, pengon lutjen dhe sjell errësimin e shpirtit; prandaj, mos ji më skllav dhe rob i mëkatit!
Mirëpo, ka edhe një argument tjetër më të fortë: sa herë që i shërben mëkatit, ti “e kryqëzon përsëri … Birin e Perëndisë dhe e turpëron [atë]” (Hebrenjve 6:6). A mund ta durosh dot këtë mendim? Nëse ke rënë në ndonjë mëkat të veçantë gjatë ditës, ndofta Zoti im po të qorton sonte, për të të sjellë në udhën e drejtë, përpara se të kesh shkuar tepër larg. Kthehu sërish te Jezusi! Ai nuk e ka harruar dashurinë që ka për ty; hiri i Tij është po i njëjti. Me të qara e me pendim, eja te stoli i këmbëve të Tij dhe do të ribashkohesh menjëherë me dashurinë e Tij! Ai do të të themelojë përsëri mbi shkëmb dhe hapat e tu do të forcohen.
© dritez.al 2024