spurgeon dev 30 maj am
Maj 2023

“I zini dhelprat, dhelprat e vogla që dëmtojnë vreshtat.”

Kënga e Këngëve 2:15

Shumë vuajtje mund të shkaktojë një gjemb i vogël. Një re e vogël mund ta mbulojë tërë diellin. Dhelprat e vogla i dëmtojnë vreshtat dhe mëkatet e vogla bëjnë zarare të mëdha në një zemër të butë. Këto mëkate të vogla bëjnë strofulla në shpirt dhe e mbushin atë plot me gjëra të cilat Krishti i urren shumë, dhe kështu përlyhet përbashkësia dhe shoqëria jonë e dashur me të. Një mëkat i madh nuk mund ta shkatërrojë të krishterin, por një mëkat i vogël mund ta bëjë jetën e tij të mjerë.

Jezusi nuk do të ecë me njerëzit e Tij po qe se ata nuk largohen prej çdo mëkati të njohur. Ai thotë: “Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i kam zbatuar urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij” (Gjoni 15:10). Disa të krishterë rrallë e shijojnë praninë e Shpëtimtarit të tyre. Përse ndodh kështu? Me siguri duhet të jetë e dhimbshme për një fëmijë të vogël të ndahet prej atit të vet. A je ti vallë një fëmijë i Perëndisë, e megjithatë je i kënaqur që ta vazhdosh jetën pa e parë fytyrën e Atit tënd?

Çfarë?! Ti je bashkëshortja e Krishtit, e megjithatë je e kënaqur pa shoqërinë e Tij! Me siguri, duhet të të ketë kapluar trishtimi, sepse bashkëshortja e dëlirë e Krishtit vajton si një pëllumbeshë pa pëllumbin e vet, kur ky është larguar prej saj.

Ja pyetja që duhet bërë: Çfarë e ka larguar Krishtin prej teje? Ai e fsheh fytyrën pas murit të mëkateve të tua. Ai mur mund të jetë ndërtuar kollaj me guralecë, po aq sa edhe me gurë të mëdhenj. Deti përbëhet prej pikash uji; shkëmbinjtë përbëhen prej grimcash rëre; dhe deti që të ndan ty prej Krishtit, mund të mbushet nga “pikat” e mëkateve të tua të vogla; ndërsa shkëmbi që pothuajse e shkatërroi barkën e jetës sate, mund të jetë bërë prej frytit të punës së përditshme të insekteve koralore të mëkateve tua të vockëla.

Nëse dëshiron të jetosh me Krishtin, të ecësh me Krishtin, ta shohësh Krishtin dhe të kesh përbashkësi me Krishtin, atëherë, ki kujdes nga “dhelprat e vogla që dëmtojnë vreshtat, sepse vreshtat tanë janë në lulëzim.” Jezusi të fton që të dalësh me Të vreshtave, dhe t’i kapësh ato. Me siguri, porsi Sansoni, Ai do t’i kapë ato pa humbur kohë dhe lehtësisht. Bashkoju Atij në gjueti!


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>