dev spurgeon 5
January 2023

Do të të bëj aleancën e popullit.

Isaia 49:8

Vetë Jezu Krishti është forma dhe përmbajtja e besëlidhjes dhe, si njëri prej dhuratave të saj, Ai është zotërimi i të gjithë besimtarëve. Besimtar, a mund ta vlerësosh vallë atë që ke marrë në Krishtin? “Në Të banon trupërisht e gjithë plotësia e Hyjnisë.” (Kolosianëve 2:9) Medito rreth fjalës “Perëndi” dhe pafundësisë së saj, dhe pastaj medito rreth “njeriut të përsosur” dhe gjithë bukurisë së Tij; sepse gjithçka që kishte ndonjëherë, ose që mund të ketë Krishti, si njeri dhe si Perëndi, është e jotja—si një favor krejt falas, që të është dhuruar për të qenë zotërimi yt i caktuar për jetë e mot.

I bekuari ynë Jezus, duke qenë Perëndi, është i gjithëdijshëm, i kudondodhur dhe i gjithëfuqishëm. A nuk ngushëllohesh duke e ditur se të gjitha këto atribute të shquara dhe të lavdishme janë krejtësisht edhe të tuat? A ka Ai fuqi? Ajo fuqi është jotja, për të të mbështetur dhe forcuar, për të mposhtur armiqtë e tu dhe për të të ruajtur deri në fund. A ka Ai dashuri? Atëherë, nuk ka një pikë dashurie në zemrën e Tij që nuk është jotja; mund të zhytesh në oqeanin e pafund të dashurisë së Tij, dhe madje mund të thuash për tërë atë dashuri: “Është imja!”. A ka Ai drejtësi? Ajo mund të duket një cilësi e rreptë, por edhe ajo është jotja, sepse me anë të drejtësisë së Tij Ai do të sigurohet që gjithçka që të është premtuar në besëlidhjen e hirit, të vuloset për ty. Dhe gjithçka që Ai kishte si njeriu i përsosur është e jotja. Duke qenë njeriu i përsosur, mbi Të qëndronte kënaqësia e Atit.

Ai u shpall i pranuar nga Shumë i Larti. O besimtar, pranimi i Krishtit nga Perëndia është edhe pranimi yt, sepse, dashurinë që derdhi Ati mbi Krishtin e përsosur, Ai e derdh edhe mbi ty tani. Sepse gjithçka që bëri Krishti është jotja. Ajo drejtësi e përsosur, të cilën Krishti e përmbushi teksa me anë të jetës së Tij të panjollë Ai zbatoi ligjin dhe e nderoi, është jotja dhe të është llogaritur ty. Krishti është në besëlidhje.

Perëndia im ty të përkas, hyjnor ngushëllimi!
Çfarë bekimi kur e di se Shpëtimtari është imi!
Në Qengjin hyjnor trefish i lumtur jam,
Dhe n’tingullin e emrit t’Tij vall’zon e imja zemër.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin