Mars 2023

Edhe pse ishte Bir, mësoi në ato që vuajti, bindjen…

Hebrenjve 5:8

Na thuhet se Kreu i shpëtimit tonë u përsos përmes vuajtjes. Prandaj, ne që jemi mëkatarë dhe shumë larg të qenët të përsosur, nuk duhet të mbetemi të habitur nëse thirremi që të përballojmë vuajtje. Ç’kuptim ka nëse koka kurorëzohet me një kurorë gjembash, ndërsa pjesët e tjera të trupit përkunden në prehrin e butë të rehatit? A duhet që Krishti ta çajë rrugën përmes deteve të gjakut të Tij, për të fituar kurorën, ndërsa ne të ecim drejt qiellit me pantofla argjendi, pa na u lagur fare këmbët? Jo; përvoja e Mësuesit Tonë na mëson se vuajtja është e domosdoshme, dhe se biri apo bija e vërtetë e Perëndisë nuk duhet dhe nuk mund t’i bishtnojë asaj, nëse i jepet rasti. 

Mirëpo, ka një mendim shumë ngushëllues për sa i përket faktit që Krishti “u bë i përsosur” përmes vuajtjes, pra, që Ai solidarizohet plotësisht me ne. Ai nuk është një kryeprift “që nuk mund të vuajë bashkë me dobësitë tona” (Hebrenjve 4:15). Në këtë solidarësi të Krishtit, ne gjejmë një fuqi mbështetëse. Një nga martirët e hershëm tha: “Unë mund të përballoj gjithçka, sepse edhe Jezusi vuajti dhe Ai vuan në mua tani. Ai solidarizohet me mua dhe kjo më bën të fortë.” Besimtar, kapu fort pas këtij mendimi sa herë që bie në vuajtje, dhe forcohu në të tek ecën në hapat e Jezusit! Mbështetu fort në solidarësinë e Tij dhe kujtoji vetes se vuajtja është një gjë për t’u nderuar—të vuash për Krishtin është lavdi. Apostujt u ngazëllyen, sepse u konsideruan të denjë të vuanin [për Zotin e tyre]. Dijeni se hiri që Zoti do të na japë për të vuajtur për Krishtin dhe me Krishtin, është i barabartë me nderimin që Ai ka për ne. 

Vuajtjet e një të krishteri janë xhevahirët e tij të çmuar. Simbolet e mbretërve të vajosur nga Perëndia janë pikërisht hallet, pikëllimet dhe vajtimet e tyre. Për pasojë, mos iu shmangshim nderimit! Mos iu largofshim lartësimit! Vajtimet na lartësojnë, ndërsa hallet na ngrenë lart. “Në qoftë se durojmë [vuajmë], do të mbretërojmë bashkë me të” (2 e Timoteut 2:12).


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin