korrik 29

Korrik 2022


Për pothuaj treqind vjet, krishterimi u rrit në tokën e njomur nga gjaku i martirëve.

Deri në kohën e Perandorit Trajan (rreth vitit 98 pas Krishtit), përndjekja ishte e lejuar, por jo e ligjshme. Nga Trajani te Deciusi (rreth vitit 250 pas Krishtit), përndjekja ishte e ligjshme. Nga Deciusi, i cili i urrente të krishterët dhe kishte frikë nga ndikimi i tyre në reformat e tij, deri në dekretin e parë të tolerancës në vitin 311, përndjekja e të krishterëve jo vetëm që ishte e ligjshme, por edhe e përhapur dhe e përgjithshme.

Një shkrimtar e përshkruan kështu situatën gjatë kësaj periudhe të tretë:

Tmerri u përhap gjithandej në bashkësi: dhe numri i atyre që e mohuan kur u kërcënuan, ishte shumë i madh. Megjithatë, nuk mungonin ata që qëndruan të palëkundur në besim, të cilët vuajtën martirizimin në vend që të dorëzoheshin; dhe, ndërsa përndjekja u përhap dhe u bë edhe më e ashpër, entuziazmi i të krishterëve dhe fuqia për të rezistuar u bë gjithnjë e më e fortë.

Prandaj, për treqind vjet, të ishe i krishterë ishte një akt me rrezik të jashtëzakonshëm për jetën, pasurinë dhe familjen tënde. Kjo ishte një sprovë e asaj që doje më shumë. Skaji ekstrem i kësaj sprove ishte martirizimi.

Mbi martirizimin qëndronte një Perëndi sovran, i cili tha se ka një numër të caktuar martirësh. Ata kanë një rol të veçantë për të luajtur në mbjelljen dhe fuqizimin e kishës. Martirët kanë një rol të veçantë për t’ia mbyllur gojën Satanit, i cili vazhdimisht thotë se populli i Perëndisë i shërben Atij vetëm për shkak se jeta bëhet më e mirë. Kjo është ideja qendrore te Jobi 1:9-11.

Martirizimi nuk është diçka aksidentale. Ai nuk e kap Perëndinë të papërgatitur. Martirizimi nuk është i papritur dhe sigurisht që nuk është as një humbje strategjike për kauzën e Krishtit.

Mund të duket si humbje, por në fakt martirizimi është pjesë e planit të qiellit, të cilën s’mund ta konceptonte dhe as ta ideonte dot asnjë strateg njerëzor. Ky plan do të triumfojë për të gjithë ata që durojnë deri në fund duke besuar në hirin e gjithëmjaftueshëm të Perëndisë.

EtiketaSolid Joys

Postime të ngjashme

30 Nëntor – Turpi triumfues i kryqit
>