spurgeon dev 29 gusht am
Gusht 2023

Ki mëshirë për mua, o Perëndi.

Psalmi 51:1

Kur njëri nga shërbëtorët e zgjedhur të Perëndisë, William Carey*, po vuante nga një sëmundje e rëndë, iu bë pyetja e mëposhtme: “Në qoftë se kjo sëmundje nga e cila po vuan do të sillte vdekjen tënde, çfarë pasazhi do të përzgjidhje për predikimin që do të mbahet në funeralin tënd?”. Ai u përgjigj: “Oh, unë mendoj se një krijesë e gjorë mëkatare si puna ime nuk është e denjë që të thuhet ndonjë fjalë e mirë rreth saj; por nëse do të mbahet ndonjë predikim në funeral, atëherë le të jetë prej këtyre fjalëve: “Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembshurinë e madhe që ke, fshiji të ligat që kam bërë.” Me të njëjtën frymë përulësie, ai dha udhëzime në testamentin e tij, që në gurin e tij të varrit të mos gdhendej asgjë tjetër, përveç epitafit të mëposhtëm:

WILLIAM CAREY, LINDUR MË 17 gusht 1761:
NDËRROI JETË—

“Një krimb i mjerë, i varfër dhe i gjorë
Në krahët e Tu të dashur gjej prehje.”

Vetëm duke u mbështetur në hirin falas, shenjtorët më të nderuar dhe më me përvojë mund t’i qasen Perëndisë të tyre. Njerëzit më të mirë janë të vetëdijshëm më shumë se gjithë të tjerët që edhe në gjendjen e tyre më të mirë, janë thjesht njerëz. Varkat bosh lundrojnë lart, por anijet e ngarkuara rëndë mezi duken mbi ujë; kështu ndodh edhe me besimtarët, sepse ata që janë besimtarë sa për sy e faqe, mund të mburren, ndërsa fëmijët e vërtetë të Perëndisë thërrasin për mëshirë në padobinë e tyre. Ne kemi nevojë që Zoti të derdhë mëshirë mbi veprat tona të mira, lutjet tona, predikimet, lëmoshat tona dhe mbi sakrificat tona të gjalla. Gjaku nuk u spërkat vetëm mbi shtalkat e dyerve të shtëpive të Izraelit, por edhe nëpër shenjtërore, mbi pajtuesin dhe mbi altarin, sepse, duke qenë se mëkati futet fshehurazi edhe në gjërat tona më të shenjta, nevojitet gjaku i Jezusit për t’i pastruar ato prej ndotjes. Nëse nevojitet mëshirë që të ushtrohet për detyrat tona, ç’mund të thuhet atëherë për mëkatet tona? Sa bukur është kur kujtojmë që ajo mëshirë e pashtershme po pret të na shfaqë hir, të na rimëkëmbë pas besëprerjeve tona dhe t’i bëjë kockat tona të thyera të gëzohen!

*Shënim i përkthyesit: Bëhet fjalë për William Carey-n (Uilliam Keri, 1761-1834), i pari misionar ungjillor britanik që mbërriti në Indi, i cili njihet ndryshe si “babai i misioneve moderne ungjillëzuese”.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin