korrik 28

Korrik 2022


Pali s’mund të shohë ashtu siç shihte më parë (dhe në atë kohë nuk kishin syze). Ai s’mund të dëgjojë ashtu siç dëgjonte dikur (në atë kohë nuk kishte aparate dëgjimi). Trupi i tij nuk rikuperohet aq shpejt nga të rrahurat ashtu si më parë (në atë kohë nuk kishte antibiotikë). Forca e tij për të ecur nga një qytet në tjetrin nuk është më e njëjta. Ai i sheh rrudhat në fytyrën dhe qafën e tij. Kujtesën nuk e ka dhe aq të fortë. Pali e pranon që ky është një kërcënim për besimin, për gëzimin dhe për kurajën e tij.

Gjithsesi atë nuk e lëshon zemra. Pse?

Nuk e lëshon zemra, sepse njeriu i tij i brendshëm po ripërtërihet. Si?

Ripërtëritja e zemrës së tij vjen nga diçka shumë e çuditshme: nga të parët e asaj që ai nuk e sheh dot me syrin fizik.

Ne nuk i drejtojmë sytë ndaj gjërave që duken, por ndaj gjërave që nuk shihen, sepse gjërat që duken, janë për një kohë, kurse ato që nuk shihen, janë të përjetshme. (2 e Korintasve 4:18)

Kjo është mënyra e Palit për të mos u ligështuar: të shikojë atë që ai nuk e shikon dot me syrin fizik. Prandaj, çfarë pa ai kur i drejtoi sytë drejt këtyre gjërave?

Pak vargje më pas, te 2 e Korintasve 5:7, Pali thotë: “Sepse ecim me anë të besimit dhe jo me të parë.” Kjo nuk do të thotë se ai kërcen në errësirë pa ndonjë provë se çfarë ka atje. Do të thotë se tani për tani realitetet më të çmuara dhe më të rëndësishme në botë qëndrojnë përtej shqisave tona fizike.

Ne “i shohim” këto gjëra të padukshme përmes ungjillit. I forcojmë zemrat tona–e përtërijmë kurajën tonë–duke e ngulitur vështrimin në të vërtetën e padukshme dhe objektive që e shohim në dëshminë e atyre, që e panë Krishtin ballë për ballë.

“Sepse Perëndia që tha: ‘Le të ndriçojë drita në errësirë’, është i njëjti që ndriti në zemrat tona për të na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit” (2 e Korintasve 4:6). “Drita e njohurisë së lavdisë së Perëndisë në fytyrën e Jezu Krishtit.” Ne e shohim këtë dritë, teksa shkëlqen në zemrën tonë përmes ungjillit.

Ne u bëmë të krishterë kur kjo gjë ndodhi–pavarësisht nëse e kuptuam apo jo. Kemi nevojë që bashkë me Palin të vazhdojmë të shohim me sytë e zemrës, në mënyrë që të mos ligështohemi.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia