spurgeon dev 28 dhjetor am
December 2023

Por ajo që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë.

Galatasve 2:20

Kur Zoti në mëshirën e Tij na u afrua dhe na pa tek ishim të vdekur, Ai para së gjithash tha: “Jeto”; dhe e bëri këtë, së pari, sepse jeta është elementi më thelbësor i çështjeve frymërore, dhe derisa të na jepet, ne nuk mund ta shohim mbretërinë dhe as të hyjmë në të. Tani, jeta që marrin besimtarët falë hirit në çastin e kthimit të tyre në besim, nuk është gjë tjetër veçse jeta e Krishtit, e cila, si limfa që rrjedh në kërcell, futet brenda nesh, degëve, dhe vendos një lidhje të gjallë mes shpirtrave tanë dhe Jezusit. Besimi është hiri që e rrok këtë bashkim, duke qenë fryti i parë lindur prej tij. Është qafa që e bashkon trupin e Kishës me Kreun e saj të gjithëlavdishëm.

Besim që edhe më fort e më qartë shkëlqen,
Sa herë kur jashtë është veç furtunë,
Në mes të rrezikut frikën nuk e njeh,
Dhe në errësirë dyshimi s’e prek kurrë.

Besimi kapet pas Zotit Jezus me një shtrëngim të fortë e të vendosur. I njeh përsosmërinë dhe vlerën e Tij, dhe nuk ka tundim që mund ta shtyjë atë t’i zërë besë dikujt tjetër. Dhe Krishti Jezus është kaq i kënaqur me këtë hir qiellor, saqë nuk resht kurrë së e forcuari dhe së e mbështeturi atë besim me shtrëngimin plot dashuri dhe përkrahjen e gjithëmjaftueshme të krahëve të Tij të amshuar. 

Kjo gjë krijon një bashkim të gjallë, të prekshëm dhe të bekuar, prej të cilit rrjedhin burime dashurie, besimi, dhembshurie, kënaqësie dhe gëzimi, nga të cilat duan të pinë me ëndje si nusja ashtu edhe dhëndri. Kur shpirti mundet ta shohë qartë këtë unitet mes vetes dhe Krishtit, dëgjohet vetëm një rrahje zemre dhe një gjak që rrjedh në venat e të dyve. Atëherë zemra gjendet aq afër me qiellin, për sa është e mundur këtu në tokë, si dhe është e përgatitur të shijojë llojin më sublim dhe më frymëror të përbashkësisë.

Zot, të tillë ma jep besimin,
Më pas le të vijë gjithçka që ka për të kaluar,
Se që tani e shijoj të shenjtëruar lumturimin,
E një shtëpie të amshuar.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>