spurgeon dev 28 dhjetor pm
Dhjetor 2023

“Nuk erdha të sjell paqen, por shpatën.”

Mateu 10:34

I krishteri me siguri që do të bëjë armiq. Një prej synimeve të tij do të jetë që të mos bëjë asnjë; por nëse bërja e asaj që është e drejtë dhe besimi në atë që është e vërtetë, do të bënte që i krishteri të humbte çdo mik të kësaj bote, ai do ta konsideronte këtë gjë një humbje të vogël, duke qenë se Miku i tij i madh në qiell, do t’i falë një miqësi edhe më të ngushtë dhe do t’ia zbulojë Veten më hirshëm se kurrë më parë. O ju që e keni marrë kryqin e Tij mbi shpatulla, a nuk e dini vallë se ç’ka thënë Mësuesi juaj? “Sepse unë erdha ta ndaj njeriun nga ati i tij, dhe bijën nga nëna e saj … dhe armiqtë e njeriut do të jenë ata të shtëpisë së vet.”

Krishti është Paqebërësi i madh; por përpara paqes, Ai sjell luftën. Aty ku vjen drita, terri zhduket. Aty ku është e vërteta, gënjeshtra ia mbath me të katra; përndryshe, nëse do të qëndronte, do të ndizej një konflikt i ashpër, sepse e vërteta nuk mundet dhe nuk do ta ulë kurrë standardin e saj, sepse gënjeshtra duhet të shtypet me këmbë. Në qoftë se e ndjek Krishtin, dije se do të të lehin nga pas gjithë qentë e botës. Në qoftë se jeton në një mënyrë të tillë, e cila të bën ta kalosh pa vështirësi sprovën e gjyqit të fundit, të jesh plotësisht i bindur se bota nuk do të flasë mirë për ty.

Ai që ka miqësi me botën, është armik i Perëndisë; përkundrazi, në qoftë se je i sinqertë me Shumë të Lartin dhe i qëndron besnik Atij, njerëzit do ta urrejnë përkushtimin tënd të patundur, meqenëse është një dëshmi kundër paudhësive të tyre. Duhet të bësh atë që është e drejtë pa pasur frikë nga pasojat. Do të të nevojitet një zemër luani për të ndjekur pa ngurrim një mënyrë sjelljeje, e cila e kthen mikun tënd më të mirë në armikun tënd më të përbetuar; por duhet të qëndrosh i palëkundur për hir të dashurisë së Jezusit. Të vësh në rrezik reputacionin dhe atë që është më e dashur për ty, për hir të së vërtetës, kërkon kaq shumë sakrificë, saqë për ta bërë këtë të nevojitet një sasi e tillë force morale, të cilën vetëm Fryma e Perëndisë mund të ta dhurojë. Megjithatë, mos e kthe kurrizin si burracak, por bëhu burrë! Ndiqi me burrëri gjurmët e Mësuesit tënd, sepse Ai iu ngjit monopatit të thepisur përpara teje. Më mirë një luftë e shkurtër dhe një prehje e përjetshme, sesa një paqe e rreme dhe një mundim i përjetshëm.


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>