…Ati juaj qiellor...
Mateu 6:26
Njerëzit e Perëndisë janë dyfish fëmijë të Tij, sepse janë pasardhësit e Tij për nga krijimi dhe, njëherësh, bijtë e Tij falë birësimit në Krishtin. Rrjedhimisht, ata gëzojnë privilegjin ta quajnë Atë: “Ati ynë që je në qiej.”
Atë! Oh, sa fjalë e çmuar është kjo! Në të ka autoritet, sepse “Nëse unë, pra, jam ati, ku është nderi im?”. Nëse ju jeni bij, ku është bindja juaj? Në të ka ndjenja dashurie të përziera me autoritet; një autoritet që nuk nxit rebelim; një bindje e kërkuar që ofrohet plot gëzim—e cila nuk do të kthehet mbrapsht, edhe sikur të ishte e mundur. Bindja e fëmijëve të Perëndisë ndaj Atit të tyre duhet të jetë një bindje me dashuri.
Mos i shërbeni Perëndisë si skllevërit që bëjnë punën e rëndë të caktuar nga mbikqyrësi i tyre, por vraponi në rrugën e urdhërimeve të Tij, sepse ajo është udha e Atit tuaj. Falini gjymtyrët tuaja si instrumente drejtësie, sepse drejtësia është vullneti i Atit dhe vullneti i Tij duhet të bëhet edhe vullneti i fëmijës së Tij.
Atë! Ky është një atribut mbretëror i mbuluar kaq ëmbëlsisht me dashuri, saqë kurora e Mbretit harrohet në fytyrën e Tij dhe skeptri i Tij nuk kthehet në një shufër hekuri, por në një skeptër të argjendtë mëshire—në të vërtetë, duket sikur skeptri harrohet në dorën e butë të Atij që e përdor atë.
Atë! Ky është një titull me nderim dhe dashuri. Sa e madhe që është dashuria e një Ati për fëmijët e tij! Atë që miqësia nuk mund ta bëjë dhe që dashamirësia nuk e realizon dot e vetme, mund ta bëjë zemra dhe dashuria e një Ati për bijtë e tij. Ata janë pasardhësit e tij, ndaj ai do t’i bekojë medoemos. Ata janë fëmijët e tij, ndaj ai do t’iu dalë në mbrojtje me të gjitha forcat. Nëse një baba tokësor kujdeset për fëmijët e tij me dashuri dhe përkujdesje të pareshtur, sa më shumë do ta bëjë këtë Ati ynë qiellor?
Aba, Atë! Ai që mund t’i shqiptojë këto fjalë, prodhon një melodi më të bukur, sesa ajo që nxjerrin kerubinët apo serafinët. Është një fjalë aq e thellë, sa nxë edhe vetë qiellin—Atë! Këtu gjej gjithçka që mund të kërkoj, gjithçka që më nevojitet dhe që mund të dëshiroj. Nëse mund të them: “Atë”, atëherë kam gjithçka në gjithçka për gjithë përjetësinë.
© dritez.al 2024