Janar 2023

A e shfuqizojmë, pra, ligjin nëpërmjet besimit? Kështu mos qoftë; përkundrazi e përforcojmë ligjin.

Romakëve 3:31

Kur besimtari birësohet në familjen e Zotit, marrëdhënia e tij me Adamin e vjetër dhe ligjin merr fund menjëherë; por pastaj, ai vendoset nën një rregull të ri dhe një besëlidhje të re. Besimtar, ti je fëmija i Perëndisë, çka do të thotë se, detyra jote parësore është t’i bindesh Atit tënd qiellor. 

Shpirti servil nuk bën për ty, sepse nuk je një skllav, por një fëmijë [i Perëndisë], dhe tani, duke qenë se je një fëmijë i dashur, je i detyruar t’i bindesh çdo dëshire të Atit, madje edhe shprehjes më të vogël të vullnetit të Tij. A nuk të kërkon Ai vallë që t’i përmbahesh një urdhërese të shenjtë? Do të ishte e rrezikshme po ta shpërfillje, sepse kjo do të ishte një vepër mosbindjeje ndaj Atit tënd. 

A nuk të urdhëron Ai vallë që të kërkosh të jesh si Jezusi? A nuk të sjell gëzim të veprosh kështu? A nuk të thotë Jezusi: “Jini, pra, të përsosur, ashtu siç është i përsosur Ati juaj që është në qiej” (Mateu 5:48)? Ja pse do të përpiqesh të jesh i përsosur në shenjtëri, jo sepse të urdhëron ligji, por sepse ta kërkon Shpëtimtari yt. A nuk i urdhëron Ai vallë shenjtorët e Tij që ta duan njëri-tjetrin? Bëje këtë, jo sepse ligji urdhëron: “Duaje të afërmin tënd”, por sepse Jezusi thotë: “Nëse më doni, mbani urdhërimet e mia” (Gjoni 14:15).

Dhe ky është urdhërimi që Ai ju ka dhënë: “...që ta doni njëri-tjetrin.” A nuk të është thënë t’iu shpërndash ndihma të varfërve? Bëje këtë, jo sepse bamirësia është një detyrim të cilit nuk guxon t’i shmangesh, por sepse Jezusi të mëson: “Jepi atij që të kërkon.” A nuk thotë vallë Fjala: “Duaje Zotin me gjithë zemrën tënde”? Drejtoju urdhëresës dhe përgjigjju: “Ah, urdhëresë, Krishti të ka përmbushur tashmë! Rrjedhimisht, përmbushja jote nuk është më e nevojshme për shpëtimin tim, por unë të bindem ty me ngazëllim, sepse Perëndia është Ati im tani dhe Ai ka të drejtat e Tij mbi mua, të cilat nuk do t’i vë në diskutim.” 

E bëftë Fryma e Shenjtë zemrën tënde të bindur ndaj fuqisë shtrënguese të dashurisë së Krishtit, në mënyrë që lutja jote të jetë: “Do të vrapoj në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse ti do të më zgjerosh zemrën” (Psalmi 119:32)! Hiri është nëna dhe mëndesha e shenjtërisë, dhe jo apologjeti i mëkatit.


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>