Unë do të kujtoj dashamirësitë e ZOTIT, lëvdimet e ZOTIT për gjithçka që ZOTI na ka dhënë.
Isaia 63:7
A nuk mund të veprosh edhe ti kështu vallë? A nuk ke përjetuar edhe ti mëshira vallë? Çfarë? Megjithëse tani je i mërzitur, si mund ta harrosh orën e bekuar kur Jezusi u takua me ty dhe të tha: “Eja tek unë”? A nuk e mban mend atë çastin marramendës kur i bëri copë-copë zinxhirët e tu, të çliroi nga vargonjtë e tu dhe të tha: “Erdha ta thyej zgjedhën tënde dhe të të çliroj”? Ose, në e paç harruar dashurinë e kthimit tënd në besim, me siguri që diku përgjatë rrugës së jetës do të gjendet ndonjë gur kilometrazhi, që nuk është mbuluar ende nga myshku, në të cilin mund të lexosh një përmendore të bekuar të mëshirës së Tij kundrejt teje. Çfarë? Vallë, a nuk të ka zënë kurrë një sëmundje, si ajo nga e cila po vuan tani, dhe a nuk të shëroi Ai prej saj? Vallë nuk ke qenë kurrë i vobektë më parë dhe a nuk t’i plotësoi Ai nevojat? A nuk je gjendur vallë mes vështirësive më parë dhe a nuk të shpëtoi Ai prej tyre?
Ngrihu e shko te lumi i përvojës sate, prit disa kallama dhe thur me to një barkëzë, me të cilën besimi yt foshnjor të mund të lundrojë i sigurt poshtë rrjedhës. Mos harro se çfarë ka bërë Perëndia për ty; hape librin e kujtimeve të tua dhe sill ndër mend ditët e shkuara. A nuk e mban mend vallë malin e Mitsarit? A nuk u takua kurrë Zoti me ty në Hermon? A nuk u je ngjitur kurrë Maleve të Hijshme vallë? A nuk të ka ardhur kurrë ndihma në kohë nevoje? Po, e di se përgjigjja e këtyre pyetjeve është pozitive.
Kthehu pak pas, pra, te mëshirat e zgjedhura të së djeshmes dhe, megjithëse tani mund të ketë pllakosur errësira, ndizi llambat e së kaluarës—ato do të shkëlqejnë më shumë dritë përmes territ dhe ti do t’i besosh Zotit, derisa të zbardhë agimi dhe hijet e natës të marrin arratinë. “Kujto, o ZOT, dhembshuritë e tua dhe dashamirësitë e tua, sepse janë të përhershme.” (Psalmi 25:6)
© dritez.al 2024