spurgeon dev 24 dhjetor am
December 2023

U bë i varfër për ju.

2 e Korintasve 8:9

Zoti Jezu Krisht ishte përjetësisht i pasur, i lavdishëm dhe i lartësuar; por “duke qenë i pasur, u bë i varfër për ju, që ju të bëheni të pasur me anë të varfërisë së tij”. Ashtu si besimtari i pasur nuk mund të ketë përbashkësi të vërtetë me vëllezërit e tij të vobektë po qe se nuk i plotëson nevojat e tyre me kamjen e Tij, kështu (duke qenë se i njëjti rregull vlen për kreun si edhe për gjymtyrët) do të kishte qenë e pamundur që Zoti ynë hyjnor të mund të kishte pasur përbashkësi me ne, po të mos na kishte dhënë nga pasuria e Tij e bollshme dhe po të mos ishte bërë i varfër, që të na bënte ne të pasur. 

Nëse Ai nuk do ta kishte lënë fronin e Tij të lavdisë, dhe nëse ne, nga ana tjetër, do të kishim mbetur në rrënojat e Rënies, pa e marrë shpëtimin e Tij, marrëdhënia jonë e ndërsjellë do të kishte qenë e pamundur. Pozita jonë prej Rënies, në mungesë të besëlidhjes së hirit, e bëri po aq të pamundur për njeriun e rënë që të komunikonte me Perëndinë, ashtu siç është e pamundur për Satanin të ketë përbashkësi me Krishtin. Prandaj, me qëllim që të gëzohej përbashkësia, ishte e nevojshme që i afërmi i pasur t’ua kalonte pasurinë e vet të afërmve të vet skamnorë, po ashtu që Shpëtimtari i drejtë t’u falte vëllezërve mëkatarë prej përsosmërisë së Vet, me qëllim që ne, të gjorët dhe fajtorët, të merrnim nga mbushullia e Tij hir përmbi hir. Kështu, në aktin e dhënies dhe të marrjes, Njëri mund të zbriste nga lartësitë dhe tjetri të ngrihej nga thellësitë, dhe në këtë mënyrë të kishim mundësi që ta përqafonin njëri-tjetrin në një përbashkësi të vërtetë dhe të përzemërt.

Varfëria duhet pasuruar prej Atij në të cilin gjenden thesare të pafundme, përpara se të fillojë të ketë përbashkësi; dhe faji duhet të tretet mes drejtësisë së llogaritur dhe asaj të falur përpara se shpirti të mund të ecë në përbashkësi me dëlirësi. Jezusi duhet t’i veshë njerëzit e Tij me petkat e Veta, përndryshe nuk i pranon dot në pallatin e Tij të lavdisë; pra, duhet t’i lajë me gjakun e Tij, përndryshe, ata do të ishin tepër të fëlliqur për përqafimin e përbashkësisë së Tij.

O besimtar, kjo është dashuria! Për hirin tënd, Zoti Jezus “u bë i varfër”, që të mund të të lartonte në përbashkësi me Veten.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin