spurgeon dev 24 dhjetor pm
Dhjetor 2023

“Atëherë lavdia e Zotit do të zbulohet dhe çdo mish do ta shohë, sepse goja e Zotit ka folur”.

Isaia 40:5

E presim me padurim ditën e lumtur kur çdo gju do të përkulet përpara Krishtit; kur perënditë e paganëve do t’u hidhen urithëve dhe lakuriqëve të natës; kur feja e kotë do të asgjësohet dhe gjysmëhëna e Muhametit do të rrëzohet, për të mos i përhapur më kurrë rrezet e saj të dëmshme mbi kombet; kur mbretërit do të adhurojnë përpara Princit të Paqes dhe të gjitha kombet do ta shpallin të bekuar Shpengimtarin. Disa dëshpërohen për këtë. Ata e shohin botën si një anije që po thyhet dhe po copëtohet, për të mos pluskuar kurrë më mbi ujë. Ne e dimë se bota dhe gjithçka brenda saj një ditë do të konsumohen mes flakëve, dhe pastaj presim të vijë qielli i ri dhe dheu i ri; mirëpo, nuk i lexojmë dot Biblat tona pa pasur bindjen se—

Jezusi do të mbretërojë përgjithmonë,
Kudo ku dielli me rrotullimet e tij të njëpasnjëshme shkon.

Nuk shkurajohemi nga kohëzgjatja e vonesave të Tij; nuk dëshpërohemi për shkak të periudhës së gjatë që Ai i cakton kishës për të luftuar me pak suksese dhe shumë humbje. Besojmë se Perëndia nuk do të lejojë kurrë që kjo botë, e cila e pa dikur gjakun e Krishtit të derdhej mbi të, të mbetet fortesa e të paudhit. Krishti erdhi këtu për ta çliruar këtë botë nga sundimi i neveritshëm i fuqive të errësirës. Çfarë britme do të jetë ajo që do të lëshojnë atë ditë njerëz dhe engjëj kur të bashkohen për të thirrur: “Aleluja, sepse Zoti, Perëndi i gjithëpushteshëm nisi të mbretërojë!” (Zbulesa 19:6).

Ç’kënaqësi e madhe do të jetë në atë ditë që morëm pjesë në luftim dhe që ndihmuam për thyerjen e shigjetave të harkut dhe që u bëmë pjesë e fitores së Zotit tonë! Lum si ata që ia besojnë veten këtij Zoti ngadhënjimtar, dhe ata që luftojnë përkrah Tij, duke e bërë pjesën e tyre në emrin e Tij dhe me anë të fuqisë së Tij! Sa të trishtuar janë ata që mbajnë anën e së keqes! Ajo është një anë humbëse, dhe kjo është një luftë në të cilën ajo anë humbëse do të humbasë vërtet, dhe do të pësojë një humbje të përjetshme. Po ti, në anën e kujt je?


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>