Dhe djersa e tij po i bëhej si pika gjaku të mpiksur që bien mbi dhe.
Luka 22:44
Trysnia mendore, si rezultat i luftës së brendshme të Zotit tonë me tundimin, i shkaktoi Atij një trazim kaq të panatyrshëm, saqë nga poret e Tij nisën të pikonin pika të mëdha gjaku, të cilat ranë përdhe. Kjo dëshmon se sa e stërmadhe duhet të ketë qenë pesha e mëkatit, saqë arriti ta shtypte Shpëtimtarin tonë deri në këtë masë! Mirëpo, kjo dëshmon fuqinë e stërmadhe të dashurisë së Tij.
Është një vëzhgim shumë i dobishëm ai që thotë se limfa më e mirë është gjithmonë ajo që kullon nga pema, pa e prerë atë. Kjo pemë e çmuar e kamfurit lëshoi aroma të mira kur u lëndua nga kamxhikët dhe kur u tejshpua nga gozhdët e kryqit; por vëreni se si ajo e përhap aromën e vet më të mirë kur nuk preket nga kamxhiku, gozhdët dhe plagët. Kjo është një dëshmi e faktit se Krishti i hoqi vuajtjet e Tij me vullnet të plotë, meqenëse, edhe pa u tejshpuar nga heshta, gjaku i tij rrodhi lumë. Nuk ka nevojë të vësh shushunja, apo ta presësh lëkurën me thikë, sepse gjaku rrjedh vetvetiu. Nuk ka nevojë që sundimtarët të thërrasin: “Nxirr ujë, o pus”, sepse ai rrjedh vetvetiu, me currila të kuq si gjaku.
Siç duket, kur njerëzit vuajnë dhimbje të madhe mendore, gjaku u vërshon në zemër. Mollëzat e faqeve u zbehen; i zë një ngërç të fikëti; gjaku vërshon drejt pjesëve të brendshme të trupit, a thua se do të ushqejë njeriun e brendshëm tek kalon mes sprovës së tij. Mirëpo, vështrojeni Krishtin në agoninë e Tij; Ai po e shpërfill kaq shumë veten, saqë në vend që agonia e Tij ta çojë gjakun drejt zemrës për ta ushqyer Veten, e bën atë të dalë jashtë dhe të bjerë përdhe. Agonia e Krishtit jo vetëm që e bën Atë ta derdhë Veten mbi këtë tokë, por po ashtu pikturon plotësinë e flijimit të Tij për njerëzit.
A mund të arrijmë vallë ta kuptojmë se sa e ashpër duhet të ketë qenë lufta e brendshme që përjetoi Ai dhe a nuk mund ta dëgjojmë vallë zërin tek na flet? “Ju ende nuk keni kundërshtuar deri në gjak, duke luftuar kundër mëkatit” (Hebrenjve 12:4). Vështroni Kryeapostullin dhe Kryepriftin e besimit tonë dhe pranoni që më mirë të djersitni, madje edhe pika gjaku, sesa të dorëzoheni përpara tunduesit të madh të shpirtrave tuaj.
© dritez.al 2024