“Përlëvdova një të zgjedhur nga populli.”
Psalmi 89:19
Përse u zgjodh Krishti nga gjiri i popullit? Fol, zemra ime, sepse mendimet e tua janë më të mirat. Vallë, a nuk ndodhi kjo sepse Ai duhet të bëhej vëllai ynë me anë të një lidhjeje farefisnore të shenjtë? Oh, ç’marrëdhënie e bekuar që e lidh Krishtin me besimtarin! Besimtari mund të thotë: “Kam një Vëlla në qiell. Mund të jem i varfër, por kam një Vëlla që është i pasur dhe që është Mbret. A do të më lërë Ai të vuaj nga skamja ndërkohë që Ai është i ulur mbi fronin e Tij? Oh, jo! Ai më do; Ai është Vëllai im!”.
Besimtar, vare këtë mendim të bekuar përreth qafës së kujtesës sate porsi një gjerdan diamantesh! Vendose atë si një unazë prej ari në gishtin e kujtesës dhe përdore si vulën e Mbretit, për t’i vulosur përgjërimet e besimit tënd me sigurinë e përmbushjes. Ai është një vëlla i lindur për ditë të vështira, prandaj konsideroje Atë si të tillë.
Krishti u zgjodh nga gjiri i popullit edhe për një arsye tjetër, që të mund t’i njihte nevojat tona dhe të identifikohej me ne. “[Ai] u tundua në të gjitha njësoj si ne, por pa mëkat.” (Hebrenjve 4:15) Në të gjitha pikëllimet tona përjetojmë dhembshurinë e Tij. Në ka tundim, dhimbje, zhgënjim, dobësi, lodhje a skamje, Ai i njeh që të gjitha, sepse i ka provuar të gjitha në kurriz të Vet.
I krishterë, kujtoja vetes këtë dhe lëre të të ngushëllojë! Sado e vështirë dhe e dhimbshme qoftë rruga jote, ajo është shënjuar nga gjurmët e Shpëtimtarit tënd; madje edhe sikur të ecësh në luginën e errët të hijes së vdekjes dhe sikur të çash përmes ujërave të thella të Jordanit shkumëzues, edhe aty ti do t’i gjesh gjurmët e Shpëtimtarit tënd. Kudo që të shkojmë, në çfarëdo vendi, Ai ka kaluar andej përpara nesh, dhe çdo barrë që na duhet ta mbartim, Emanueli ynë e ka mbajtur dikur mbi supet e Tij.
Rruga e Tij ishte më e thepisur dhe më e errët se imja;
Kur Krishti, Zoti im, vuajti për vete, si mund të qahem unë?
Merr zemër! Këmbët mbretërore kanë lënë një vijë të kuqe gjaku mbi udhë dhe e kanë shenjtëruar një herë e përgjithmonë shtegun e mbuluar me gjemba.
© dritez.al 2024