“Bir njeriu, ç’është vallë druri i hardhisë në krahasim me gjithë drurët e tjerë ose me çfarëdo dege që ndodhet në drurët e pyllit?”
Ezekieli 15:2
Këto fjalë shërbejnë për përuljen e popullit të Perëndisë, sepse vërtet quhen hardhia e Perëndisë, por çfarë kanë ata për nga natyra më shumë se të tjerët? Ata janë bërë të frytshëm falë mirësisë së Perëndisë, duke qenë se janë mbjellë në dhè të mirë. Në fakt, Zoti i ka shtrirë degët e tyre mbi muret e shenjtërores së Tij dhe ata japin fryt për lavdinë e Tij. Mirëpo, çfarë janë ata pa Perëndinë e tyre? Çfarë janë ata pa ndikimin e vazhdueshëm të Frymës që i bën të frytshëm?
O besimtar, mësohu ta hedhësh poshtë krenarinë, duke e ditur se nuk ke asnjë arsye për të qenë krenar. Kushdo qofsh, nuk ke asgjë për të cilën të krenohesh. Sa më shumë që ke, aq më tepër i je borxhli Perëndisë; dhe nuk ke pse të krenohesh me atë gjë që të bën borxhli. Mendo për orgjinën tënde dhe shiko se cili ishe. Mbaj parasysh se kush do të ishe tani, po të mos kishte ndërhyrë hiri hyjnor. Vështroje veten ashtu siç je tani! A nuk të qorton ndopak ndërgjegjja? A nuk qëndrojnë vallë para teje vërdallisjet e tua të panumërta, duke të të thënë se nuk je i denjë të quhesh biri i Tij? Dhe nëse Ai të ka bërë të jesh dikush, a nuk të kanë mësuar që, si rezultat i kësaj, është hiri ai që të ka bërë të dallohesh nga të tjerët?
O besimtar i madh, ti do të ishe një mëkatar i madh po qe se Zoti nuk do të të kishte ndryshuar. O ti, që je trim për të vërtetën, ti do të ishe po aq trim për gënjeshtrën sikur të mos të të kishte robëruar hiri. Prandaj, mos ji krenar, megjithëse ke një ndikim të madh—një pronë të madhe hiri, sepse dikur ti nuk kishe as edhe një gjë që mund ta quaje tënden, përveç mëkatit dhe mjerimit tënd. Oh, ç’budallallëk i madh është ky që ti, që e ke marrë gjithçka borxh, mendon se duhet ta mbash veten me të madh! Ti, o pensionist i ngratë, që nuk mund të jetosh dot pa bujarinë e Shpëtimtarit tënd; ti që ke një jetë e cila vdes pa burimet e freskëta të jetës, të cilat rrjedhin nga Jezusi, përse vallë e larton veten me krenari? Turp të kesh, o zemër budallaqe!
© dritez.al 2024