Janar 2023

Pastaj pati një etje të madhe dhe kërkoi ndihmën e ZOTIT, duke thënë: “Ti lejove këtë çlirim të madh me dorën e shërbëtorit tënd, por a duhet të vdes unë tani nga etja…?”

Gjyqtarët 15:18

Sansoni ishte i etur dhe gati të vdiste. Kjo vështirësi ishte krejt ndryshe nga çdo vështirësi tjetër që heroi kishte përjetuar në të kaluarën. Mirëpo, shuarja e etjes as që mund të krahasohet me shpëtimin nga kthetrat e një mijë filistenjve! Megjithatë, tek po shuhej nga etja, Sansoni e ndjeu se ajo vështirësi e papërfillshme, me të cilën po përballej tani, peshonte më shumë sesa rreziku i madh prej të cilit ishte shpëtuar pak më herët, në një mënyrë aq të mrekullueshme! 

Ndodh rëndom që populli i Perëndisë, pasi të ketë përjetuar një çlirim të madh, të dorëzohet përpara vështirësisë më të vogël. Sansoni vret një mijë filistenj, duke i bërë kapicë trupat e tyre, dhe pastaj për pak sa nuk i humb ndjenjat për një pikë ujë! Jakobi përleshet me Perëndinë në Peniel, duke e mposhtur vetë të Plotfuqishmin, dhe pastaj, ja tek “çalonte për shkak të ijës” (Zanafilla 32:31). Është e çuditshme, por ja që sa herë dalim fitimtarë, qëllon që përfundojmë me ijë të përdredhur. Duket sikur Zoti duhet të na e mësojë medoemos vogëlsinë tonë dhe faktin që jemi një hiç, në mënyrë që të mos bëhemi mendjemëdhenj. 

Sansoni u mburr me të madhe kur tha: “Kam vrarë një mijë njerëz.” Gryka e tij mburravece shpejt u tha nga etja, aq sa u detyrua të përgjunjej në lutje. Perëndia ka shumë mënyra për t’i përulur njerëzit e Tij. 

I dashur fëmijë i Perëndisë, nëse pas një mëshire të madhe ke përfunduar shumë poshtë, dije që nuk je një rast i pazakontë. Kur Davidi kishte hipur në fronin e Izraelit, ai tha: “Megjithëse jam vajosur mbret, unë jam ende i dobët.” Duhet ta dini se do të ndiheni më të dobët pikërisht kur të jeni duke shijuar triumfin tuaj më të madh. Nëse Perëndia të ka dhënë çlirime të mëdha në të kaluarën, vështirësia jote e tanishme është si etja e Sansonit. Zoti nuk do të të lërë të ligështohesh dhe as do ta lërë armikun tënd të ngadhënjejë mbi ty. Rruga e vuajtjes është udha drejt qiellit, por përgjatë saj ka puse me ujë të freskët. Kështu, pra, udhëtar i lodhur dhe i sprovuar, ngazëllohu në zemrën tënde me fjalët e Sansonit dhe ji i sigurt se Perëndia nuk do të vonojë të të shpëtojë!


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>