Shtator_21

Shtator 2022


Një nga gjërat për të cilat jemi mirënjohës kur ia paraqesim Perëndisë kërkesat tona janë premtimet e Tij. Ato janë predhat e topit që e shkatërron mosbesimin i cili prodhon shqetësim. Ndaj, ja se si luftoj unë.

Kur jam i shqetësuar që shërbesa ime është e zbrazët dhe e padobishme, e luftoj mosbesimin me premtimin nga Isaia 55:11: “Kështu do të jetë fjala ime, që del nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova.”

Kur jam i shqetësuar se jam tepër i dobët për ta bërë punën time, e luftoj mosbesimin me premtimin e Krishtit, që thotë: “Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi” (2 e Korintasve 12:9).

Kur jam i shqetësuar për vendimet që duhet të marr në lidhje me të ardhmen time, e luftoj mosbesimin me premtimin: “Unë do të të edukoj dhe do të të mësoj rrugën nëpër të cilën duhet të ecësh; unë do të të këshilloj dhe do ta mbaj syrin tim mbi ty” (Psalmi 32:8).

Kur jam i shqetësuar nga përballja me kundërshtarët, e luftoj mosbesimin me premtimin: “Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?” (Romakëve 8:31).

Kur jam i shqetësuar për mirëqenien e atyre të cilët i dua, e luftoj mosbesimin me premtimin që nëse unë, duke qenë nga natyra i lig, e di se si t’u jap gjëra të mira fëmijëve të mi, “aq më tepër Ati juaj, që është në qiej, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia lypin atij” (Mateu 7:11).

Unë luftoj që ta ruaj ekuilibrin tim frymëror duke kujtuar se kushdo që ka lënë shtëpi, ose vëllezër, ose motra, ose nënë, ose baba, ose fëmijë, ose toka, për hir të Krishtit, do të “marrë tani në këtë botë, njëqindfish shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara, së bashku me përndjekjet, dhe në botën ardhshme, jetë të përjetshme” (Marku 10:29-30).

Kur jam i shqetësuar se jam i sëmurë, e luftoj mosbesimin me premtimin: “Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë, por ZOTI e çliron nga të gjitha” (Psalmi 34:19).

Kështu duke u dridhur e përqafoj premtimin që thotë: “Shtrëngimi prodhon durimin, durimi përvojën dhe përvoja shpresën. Por shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë” (Romakëve 5:3-5).


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>