spurgeon dev 21 nëntor am
November 2023

Mos e trishtoni Frymën e Shenjtë.

Efesianëve 4:30

Gjithçka që ka besimtari, duhet të vijë nga Krishti, por gjithçka vjen vetëm përmes kanalit të Frymës së hirit. Për më tepër, ashtu siç derdhen te ti të gjitha bekimet përmes Frymës së Shenjtë, po kështu, asgjë e mirë nuk mund të dalë prej teje, qofshin këto mendime të shenjta, adhurim i devotshëm apo vepra të hirshme, pa veprimin shenjtërues të të njëjtit Frymë.

Edhe nëse fara e mirë është mbjellë brenda teje, ajo do të mbetet pa mbirë derisa Fryma të veprojë në ty, për të të dhënë vullnetin dhe veprimtarinë sipas pëlqimit të Tij.

A dëshiron vallë të flasësh për Jezusin—si mund ta bësh këtë po qe se Fryma e Shenjtë nuk t’i prek buzët?

Vallë, a dëshiron të lutesh? Vaj medet, sa të pajeta janë lutjet e tua po qe se Fryma e Shenjtë nuk ndërmjetëson për ty!

A dëshiron vallë ta mposhtësh mëkatin? A dëshiron vallë të jesh i shenjtë? A dëshiron vallë ta imitosh Mësuesin tënd? A dëshiron vallë të ngrihesh në lartësi të papërfytyrueshme në jetën tënde frymërore? A dëshiron vallë të bëhesh si engjëjt e Perëndisë, i mbushur përplot me zell dhe dashuri për kauzën e Mësuesit? Pa Frymën ti nuk mundesh—“pa mua nuk mund të bëni asgjë” (Gjoni 15:5).

O shermend i hardhisë, pa lëngun jetësor të limfës nuk mund të japësh fryt! O fëmijë i Perëndisë, nuk ka jetë brenda teje, përveç jetës që të jep Perëndia përmes Frymës së Tij!

Atëherë le të mos e trishtojmë Atë dhe as ta provokojmë për zemërim përmes mëkateve tona. Le të mos e shuajmë Frymën as edhe në një nga lëvizjet e Tij më të vogla brenda shpirtit tonë; por le të inkurajojmë çdo sugjerim të Tij dhe të jemi të gatshëm t’i bindemi çdo shtytjeje të Tij.

Në qoftë se Fryma e Shenjtë është kaq e fortë, le të mos bëjmë as edhe orvatjen më të vogël pa Të; mos të nisim asnjë projekt, mos t’i hyjmë asnjë ndërmarrjeje dhe të mos lidhim asnjë marrëveshje pa kërkuar bekimin e Tij.

Le t’i japim nderimin e duhur duke e pranuar dobësinë tonë të skajshme në mungesë të Tij, dhe pastaj le të mbështetemi plotësisht në Të, duke qenë kjo lutja jonë: “Hape zemrën dhe gjithë qenien time ndaj plotësisë Sate dhe më përkrah me Frymën Tënde pasi ta kem marrë atë Frymë deri në thellësi të qenies sime!”.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin