spurgeon dev 20 nëntor pm
November 2023

Lepujt, që janë një popull i dobët, por që e vendosin banesën e tyre në shkëmbinjtë.

Fjalët e Urta 30:26

Të vetëdijshëm për dobësinë e tyre të natyrshme, lepujt u drejtohen strofkave nëpër shkëmbinj, dhe aty janë të mbrojtur nga armiqtë e tyre. Zemra ime, qofsh e gatshme të marrësh një mësim të mirë nga këto qenie të dobëta! Ti je po aq e dobët dhe e pambrojtur nga rreziqet, sa lepuri i ndruajtur; kështu që ji po aq e zgjuar sa ai për të kërkuar një strehë! Siguria ime më e mirë gjendet brenda fortesës së Jahveh-ut të pandryshueshëm, aty ku premtimet e Tij të pandryshueshme qëndrojnë si mure vigane të gurta. Nuk do të të gjejë asnjë e keqe ty, zemra ime, në qoftë se fshihesh pas mollokëve të atributeve të Tij të lavdishme, të cilat janë pa përjashtim garanci sigurie për ata që e vënë besimin e tyre tek Ai!

Bekuar qoftë emri i Zotit, se kur jam fshehur mes tyre, më është dukur vetja si Davidi në shpellë, i sigurt nga mizoria e armiqve të mi! Tashmë e kam zbuluar se çfarë bekimi është t’i zësh besë Zotit, sepse shumë kohë më parë, kur më ndiqnin pas Qoftëlargu dhe mëkatet e mia, renda për tek e çara e shkëmbit Jezu Krisht dhe gjeta një vend prehjeje të mrekullueshëm në brinjën e Tij të tejshpuar. Zemra ime, rend edhe sonte për tek Ai, sado e madhe qoftë vuajtja jote e tanishme! Jezusi të kupton; Jezusi të ngushëllon; Jezusi do të të ndihmojë. Asnjë mbret në kështjellën e vet të papushtueshme nuk është më i sigurt sesa lepuri në banesën e vet mes shkëmbinjve.

Komandanti i dhjetë mijë karrove të luftës nuk është aspak më i mbrojtur sesa banori i vogël në të çarën e malit. Të dobëtit janë të fortë në Jezusin, ndërsa të pambrojturit të sigurt; madje nuk do të ishin më të fortë edhe sikur të ishin viganë dhe as më të mbrojtur edhe sikur të ishin në qiell. Besimi u fal njerëzve mbi tokë mbrojtjen e Perëndisë së qiellit. Më shumë nuk u nevojitet dhe as u nevojitet të dëshirojnë më tepër. Lepujt nuk ndërtojnë dot kështjella, por shfrytëzojnë më së miri ato që gjenden në natyrë. Kështu edhe unë nuk e ndërtoj dot një strehim, por Jezusi ma ka siguruar atë, Ati i Tij ma ka dhuruar, Fryma e Tij ma ka zbuluar, dhe ja, sonte po futem sërish brenda tij dhe jam i mbrojtur nga çdo armik.


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>