spurgeon dev 21 dhjetor pm
December 2023

“Pastaj të vura të veshësh rroba të qëndisura, të vura sandale prej lëkure baldose, të rrethova kokën me li të hollë dhe të mbulova me mëndafsh.”

Ezekieli 16:10

Pa vështro pak se me ç’bujari të pashoqe siguron Zoti veshmbathje për popullin e Vet. Ata janë stolisur në këtë mënyrë, që mjeshtëria hyjnore të shfaqet në krijimin e rrobave “të qëndisura” të pakrahasueshme, ku çdo atribut luan një rol dhe ku zbulohet çdo bukuri hyjnore. Asnjë art nuk mund të krahasohet me atë që shfaqet në shpëtimin tonë, nuk ka vepër më mjeshtërore sesa ajo që shihet në drejtësinë e shenjtorëve. Drejtësimi ka bërë për vete pena erudite në çdo epokë të kishës dhe do të jetë motiv admirimi në përjetësi. Në gjithë këtë madhështi ka dobi dhe qëndrueshmëri, të cilat janë të krahasueshme me veshjen tonë me “sandale prej lëkure baldose”. Kjo lëkurë mbulonte tabernakullin dhe përbënte një ndër lëkurët më të forta të njohura ndonjëherë. 

Drejtësia që është vepër e Perëndisë, me anë të besimit, është e qëndrueshme për jetë e mot, dhe ai që është veshur me këtë gatishmëri hyjnore, do të ecë i sigurt përmes shkretëtirës. Dëlirësia dhe dinjiteti i petkave tona të shenjta dalin në pah te veshja me “li të hollë”. Kur Zoti i shenjtëron njerëzit e Vet, ata vishen si priftërinjtë, me rroba të bardha të dëlira; madje as bora vetë nuk ua kalon atyre për nga bardhësia. Në sytë e njerëzve dhe engjëjve, ata janë të bukur për t’u parë, dhe madje edhe në sytë e Zotit janë të panjollë. Veç kësaj, petkat mbretërore janë delikate dhe të pasura si “mëndafshi”. Asnjë shpenzim nuk kursehet, asnjë pikë bukurie nuk fshihet dhe asnjë fije madhështie nuk mohohet. 

Çfarë, atëherë? A mund të nxjerrim ndonjë përfundim prej gjithë kësaj? Me siguri duhet të na bëjë të ndiejmë mirënjohje dhe të shprehim gëzim. Eja, zemra ime, mos e mbaj mbyllur gojën për alelujën e mbrëmjes! Regjistroji veglat e tua frymore! Akordoji instrumentet me tela! 

Je stolisur mrekullisht, shpirti im,
Prej Trinis’ së Shenjtë e të Madhe!
U bashkofshin të gjitha fuqitë e tua
Në harmonin’ më t’ëmbël në lavdërim.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin