spurgeon dev 20 nëntor am
November 2023

O ZOT, ti ke mbrojtur çështjen e shpirtit tim, ti ke shpenguar jetën time.

Vajtimet 3:58

Vër re se me sa siguri flet profeti. Ai nuk thotë: “Unë shpresoj, besoj, madje disa herë mendoj se Perëndia e ka mbrojtur çështjen e shpirtit tim”; por ai flet për këtë si për diçka të mbaruar, që nuk mund të vihet në dyshim. “Ti ke mbrojtur çështjen e shpirtit tim.” Falë ndihmës së Ngushëlluesit plot hir, le t’i flakim tutje ato dyshime dhe frikëra që e trazojnë aq lehtësisht paqen dhe ngushëllimin tonë.

Le të jetë kjo lutja jonë—që ta bëjmë të heshtë një herë e mirë zërin e ashpër e të çjerrë të hamendjeve dhe dyshimeve, dhe që të mund të jemi në gjendje të flasim me zërin e qartë dhe melodioz të sigurisë së plotë.

Vër re se me sa mirënjohje flet profeti, duke ia dhënë të gjithë lavdinë vetëm Perëndisë! Do të vëresh se nuk thotë asnjë fjalë për veten apo për përgjërimet e veta. Ai nuk ia atribuon njeriut asnjë grimë të shpëtimit të tij, dhe as përpiqet të gjejë ndonjë meritë për veten; por thotë “ti”—“O ZOT, ti ke mbrojtur çështjen e shpirtit tim, ti ke çliruar jetën time.”

I krishteri duhet të kultivojë përherë një frymë mirënjohëse; dhe veçanërisht pas çlirimeve që na ka dhënë Perëndia, duhet t’i thurim këngë Atij. Toka duhet të shndërrohet në një tempull që kumbon nga këngët e shenjtorëve mirënjohës, dhe çdo ditë duhet të jetë e mbushur me temjanin e ëmbël të falënderimit.

Duket sikur nga çdo pore e Jeremias shpërthen hareja tek flet për mëshirën e Zotit. Sa ngadhënjyes është tek këndon melodinë e tij!

Ai ka qenë në qelitë e thella të burgut, madje edhe tani, ai nuk është veçse profeti vajtues; e megjithatë, pikërisht në këtë libër që quhet “Vajtimet”, dëgjojmë zërin e Jeremias tek ngrihet lart në qiell, po aq i qartë sa kënga e Miriamit kur i binte defit, po aq i fortë sa zëri i Deborës kur u takua me Barakun mes britmave ngadhënjyese—“O ZOT, ti ke mbrojtur çështjen e shpirtit tim, ti ke çliruar jetën time.”

O fëmijë të Perëndisë, kërkoni një përvojë të gjallë të dashamirësisë së Zotit, dhe kur ta keni arritur, shpalleni atë me të madhe; këndoni me mirënjohje; lëshoni britma ngadhënjimi!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin