spurgeon dev 20 maj pm
Maj 2023

“Unë i tërhiqja me litarë të dashamirësisë njerëzore, me lidhje dashurie.”

Osea 11:4

Ati ynë qiellor shpesh na tërheq te Vetja me litarët e dashurisë, por, ah, sa të ngadaltë që jemi për të vrapuar drejt Tij! Me sa hezitim që u përgjigjemi nxitjeve të Tij të ëmbla! Ai na tërheq për të pasur një besim më të thjeshtë tek Ai; por ne ende nuk kemi mësuar të besojmë si Abrahami. Nuk i lëmë shqetësimet e kësaj bote në [këmbët] e Perëndisë, por, ashtu si Marta, e ngarkojmë veten me shumë punë shërbimi. Besimi ynë i pakët i sjell dobësi shpirtit tonë; ne nuk e hapim plotësisht gojën, megjithëse Perëndia ka premtuar ta mbushë atë.

A nuk na tërheq Ai vallë sonte, që të kemi më shumë besim tek Ai? A nuk e dëgjojmë tek na thotë: “Eja, fëmija Im, dhe ki besim tek Unë! Perdja e tempullit është shqyer; hyr në praninë Time dhe afroju me guxim fronit të hirit Tim! Unë jam i denjë për besimin tënd më të madh; hidhi shqetësimet e tua mbi Mua! Shkunde pluhurin e halleve të tua dhe mbathu me petkat e gëzimit!”. Mirëpo, sa keq, megjithëse të thirrur me melodinë e dashurisë në ushtrimin e bekuar të këtij hiri përdëllyes, ne, prapëseprapë, nuk vijmë!

Në një kohë tjetër, Ai na tërheq në një përbashkësi më intime me Veten. Kemi qëndruar ulur në prag të shtëpisë së Perëndisë dhe Ai vjen e na fton në sallën e gostive që të hamë me Të, por ne e hedhim poshtë një nder të tillë. Nuk ka më asnjë odë të fshehtë që ka mbetur pa u hapur përpara nesh, dhe Jezusi na fton që të hyjmë në to, por ne, megjithatë, ngurrojmë.

T’u vijë turp zemrave tona të ftohta! Nuk jemi veçse dashurues të këqij të të ëmblit Zotit Jezus, nuk e meritojmë të jemi shërbëtorët e Tij dhe aq më pak të jemi nusja e Tij, e megjithatë, Ai na ka lartësuar për të qenë kocka e kockave të Tij dhe mishi i mishit të Tij, të lidhur me të nga një martesë-besëlidhje e lavdishme.

Ja, kjo është dashuri! Mirëpo, është një dashuri e cila nuk pranon asnjë kundërshtim. Nëse nuk u bindemi tërheqjeve të këndshme të dashurisë së Tij, Ai do të dërgojë vuajtje për të na afruar më shumë me Veten. Synimi i Tij është të na afrojë më shumë me veten. Oh, sa fëmijë budallenj që jemi, sepse kundërshtojmë lidhjet e dashurisë dhe duke vepruar kështu, ne tërheqim mbi vete disiplinën e dhimbshme, të cilën Ai e ushtron për të mirën tonë!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin