spurgeon dev 21 maj am
Maj 2023

Nëse e keni shijuar se Zoti është i mirë.

1 e Pjetrit 2:3

“Nëse”, kjo do të thotë se asnjë pjesëtar i racës njerëzore nuk duhet ta marrë si të mirëqenë frazën e mësipërme. “Nëse”—kjo do të thotë se ekziston mundësia dhe probabiliteti që disa mund të mos ta kenë shijuar se Zoti është i hirshëm. “Nëse”—kjo do të thotë se nuk bëhet fjalë për një mëshirë të përgjithshme, por të veçantë; çka do të thotë që të gjithë duhet të pyesim nëse vërtet e njohim hirin e Perëndisë me një përjetim të brendshëm. Në fakt, hetimi i zemrës është i nevojshëm për çdo favor frymëror. 

Megjithëse lipset një hetim [zemre] i përnjëmendtë, duke kaluar kohë në lutje, askush nuk duhet të ndihet i kënaqur “nëse” ende nuk është i sigurt se e ka shijuar që Zoti është i mirë. Një mosbesim i shenjtë dhe me xhelozi ndaj vetes mund të çojë në lindjen e kësaj pyetjeje edhe në zemrën e besimtarit, por mbetja e një dyshimi të tillë do të ishte një gjë vërtet e ligë. Nuk duhet të ndihemi rehat pa luftuar ashpër me veten, për ta shtrënguar fort Shpëtimtarin me krahët e besimit dhe pa thënë: “[Unë] e di se kujt i kam besuar dhe jam i bindur se ai është i fuqishëm ta ruajë ndoren time deri në atë ditë” (2 e Timoteut 1:12).

O besimtar, mos u ndje kurrë rehat pa pasur një siguri të plotë të interesit tënd për Jezusin! Mos gjetsh kënaqësi askund dhe në asgjë, derisa të marrësh dëshminë e pagabueshme të Frymës së Shenjtë, që i dëshmon frymës sate, duke të siguruar se je fëmijë i Perëndisë! Mos u trego mendjelehtë në lidhje me këtë çështje! Mos lër asnjë “mbase” ose “nëse”, ose “ndoshta” të ta kënaqë zemrën! Ndërto mbi të vërtetat e përjetshme; ndërto vërtet mbi to! Hidhe spirancën tënde mbi atë që fshihet pas perdes, dhe kujdesu që shpirti yt të jetë i lidhur me spirancën me një litar që s’këputet! Shko përtej këtyre “nëse”-ve të frikshme! Mos qëndro më gjatë në shkretëtirën e dyshimeve dhe frikërave! Kapërceje Jordanin e mosbesimit dhe hyr në tokën e premtuar të paqes, ku toka nuk pushon kurrë së rrjedhuri qumësht dhe mjaltë!


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>