spurgeon dev 02 am
October 2023

Të shpresës që ruhet për ju në qiejt.

Kolosianëve 1:5

Shpresa jonë në Krishtin për të ardhmen është forca lëvizëse dhe shtylla e gëzimit tonë këtu poshtë. Po të mendojmë më shpesh rreth qiellit, zemrat tona do të inkurajohen, sepse na është premtuar që atje do të marrim gjithçka dëshirojmë. 

Këtu jemi të rraskapitur e të munduar, por atje gjendet toka e prehjes, ku djersa e punës së rëndë nuk do ta zbukurojë më ballin e tonë dhe ku lodhja do të zhduket një herë e mirë. Për ata që janë të lodhur e të munduar, fjala “prehje” është plot me notat e qiellit. Fusha e betejës nuk na ndahet për asnjë çast; jemi kaq të tunduar dhe kaq të përndjekur nga armiqtë, saqë kemi pak ose aspak paqe; por në qiell do të shijojmë fitoren, kur flamuri të valëvitet në shenjë fitoreje dhe shpata të kthehet sërish në mill, si dhe ta dëgjojmë Komandantin tonë të na thotë: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik” (Mateu 25:23). 

Kemi vuajtur pikëllim pas pikëllimi, por po shkojmë drejt tokës së pavdekësisë, ku varret janë një gjë e panjohur. Këtu mëkati është brenga jonë e vazhdueshme, por atje do të jemi përsosmërisht të shenjtë, sepse asgjë e ndyrë nuk do të mund të hyjë në qiell. Kukuta nuk rritet dot brazdave të arave qiellore. Të kuptuarit e faktit që udhëtimi në shkretëtirë i shtegtimit tonë tokësor do të përfundojë dhe që ne do të trashëgojmë qiellin, na ngjall gëzim të thellë.

Mirëpo, le të sigurohemi që të mos e harrojmë të tashmen duke ëndërruar për të ardhmen. Të gjitha mendimet për të ardhmen na shërbefshin që të jemi të dobishëm në të tashmen. Shpresa qiellore, falë Frymës së Perëndisë, është forca më e madhe për prodhimin e virtytit në ne; është burimi i përpjekjeve të gëzueshme; është gur i themelit të shenjtërisë së hareshme. Ata që e kanë një shpresë kësisoj përbrenda, i hyjnë punës me entuziazëm, sepse gëzimi i Zotit është fuqia e tyre. Ata i luftojnë tundimet me zell, sepse shpresa për botën që do të vijë, i hedh tutje shigjetat e zjarrta të kundërshtarit. E vazhdojnë punën edhe pa një shpërblim të menjëhershëm, pasi mezi presin të marrin një shpërblim në botën që do të vijë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin