spurgeon dev 01 pm
Tetor 2023

Zoti do të japë hir dhe lavdi.

Psalmi 84:11

Jahveh-u është jashtëzakonisht zemërgjerë për nga natyra; Ai gjen kënaqësi kur jep. Dhuratat e Tij janë pakrahasimisht të vyera dhe jepen po aq falas sa edhe drita e diellit. Ai u jep hir të Vetëve, sepse këtë ia do zemra; i mbush me hir të shpenguarit e Vet, për shkak të besëlidhjes së Tij; u dhuron hir të thirrurve, për shkak të premtimit të Tij; u fal hir besimtarëve, sepse ata e kërkojnë atë, por edhe mëkatarëve, sepse ata kanë nevojë për të. Ai e fal hirin me bollëk, në kohën e duhur, vazhdimisht, me gjithë dëshirë dhe në mënyrë sovrane; vlera e bekimeve dyfishohet nga mënyra në të cilën jepen. 

Popullit të Vet i dhuron hir në të gjitha format e tij: hir ngushëllues, ruajtës, shenjtërues, drejtues, udhëzues dhe ndihmues, të cilin e derdh në shpirtrat e tyre pa pushim dhe me zemërgjerësi, dhe do të vazhdojë ta derdhë, pavarësisht se çfarë mund të ndodhë. Mund të na bien sëmundje, por Zoti do të na japë hir; mund të na pllakosë varfëria, por pa dyshim që hiri nuk do të mbarojë ndonjëherë; mortja do të na vijë me siguri, por hiri do të ndezë një qiri edhe në orën më të zezë. Lexues, sa bekim i madh është që, teksa vitet kalojnë dhe gjethet zënë të bien sërish, të gëzohemi me këtë premtim të amshueshëm: “Zoti do të japë hir dhe lavdi”!

Në këtë varg, lidhëza e vogël “dhe” është një perçinë prej diamanti që lidh të tashmen me të ardhmen: hiri dhe lavdia shkojnë përherë krah për krah me njëra-tjetrën. Perëndia i ka bashkuar në martesë, prandaj, askush nuk mund t’i ndajë. Zoti nuk do t’ia mohojë kurrë lavdinë një shpirti, të cilit i ka dhënë lirisht hir. Në fakt, lavdia nuk është gjë tjetër veçse hir i veshur me petkat e së dielës, hir që ka lulëzuar plotësisht dhe hir që ngjason me frutat e vjeshtës, të pjekura dhe të shijshme. Se sa shpejt do të vijë momenti i lavdisë, këtë askush nuk mund ta thotë dot! Mund të ndodhë që, përpara se të ketë mbaruar ky tetor, të shohim Qytetin e Shenjtë; mirëpo, sado kohë që të kalojë, ne do të përlëvdohemi gjithsesi. Zoti me siguri do t’u falë lavdi të zgjedhurve të Vet—lavdinë e qiellit, lavdinë e përjetësisë, lavdinë e Jezusit dhe lavdinë e Atit. Oh, ç’premtim i mrekullueshëm nga një Perëndi besnik!

Dy hallka të arta të zinxhirit qiellor:
Ai që hirin ka, me siguri lavdi do të fitojë.


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>