February 2023

Pa derdhur gjak nuk ka ndjesë.

Hebrenjve 9:22

Ky është zëri i së vërtetës së pandryshueshme. Në asnjë prej riteve fetare judaike, mëkatet nuk hiqeshin pa derdhje gjaku, madje as në kuptimin simbolik. Mëkatet nuk mund të falen kurrë dhe kurrsesi pa u bërë shlyerja e tyre. Pra, duket qartë se pa Krishtin jam i pashpresë, sepse nuk ka derdhje tjetër gjaku, që vlen të konsiderohet edhe për një çast të vetëm si një shlyerje e denjë për mëkatet. 

Atëherë, pse nuk besoj në Të? A është spërkatur vërtet shpirti im me gjakun e shlyerjes së Tij? Të gjithë njerëzit gjenden në të njëjtën pozitë, për sa i përket nevojës që kanë për Krishtin. Madje edhe sikur të ishim të moralshëm, zemërgjerë, të sjellshëm ose patriotë, rregulla nuk do të ndryshohej për të bërë një përjashtim për ne. Mëkati nuk dorëzohet përpara asgjëje tjetër më pak të fuqishme, sesa gjaku i Atij që Zoti e ka dërguar si shlyerjen e tij. Çfarë bekimi që ekziston një udhë shpëtimi! E përse vallë duhet të kërkojmë një tjetër veç saj? 

Besimtarët e feve thjesht tradicionale nuk arrijnë ta kuptojnë dot, se përse gëzohemi kaq shumë, që të gjitha mëkatet na janë falur në emër të Krishtit. Veprat, lutjet dhe ritet fetare nuk u falin atyre asgjë më shumë sesa një ngushëllim të mangët; dhe nuk është për t’u habitur që ata nuk ndiejnë paqe, sepse po shpërfillin të vetmin shpëtim të madh dhe po përpiqen ta sigurojnë faljen e mëkateve pa derdhur gjak. 

Shpirti im, qetësohu dhe kupto që një Perëndi i drejtë është i vendosur ta ndëshkojë mëkatin; pastaj, vështro se si i gjithë ai ndëshkim ekzekutohet mbi Zotin Jezus dhe gjunjëzohu me gëzim të përulur te këmbët e Atij, gjaku i të cilit ka bërë shlyerjen e mëkateve të tua! Më kot zgjohet ndërgjegjja që t’u besojë ndjenjave dhe gjërave të dukshme, për të gjetur ngushëllim në to; ky është një zakon i keq dhe i mjerë. E vetmja kurë për një ndërgjegje të ligë është pamja e Jezusit që vuan në kryq. “Sepse gjaku është jeta e çdo mishi”, thotë ligji levitik, dhe le të prehemi të sigurt se ai është jeta e besimit dhe e gëzimit dhe e çdo hiri tjetër të shenjtë.

Oh! Sa bukur të shoh tek derdhet
Gjakun e çmuar të Shpëtimtarit tim;
Duke ditur me siguri hyjnore
Se ka bërë timen paqe me Perëndinë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin