spurgeon dev 02 dhjetor am
December 2023

Ti je e tëra e bukur, mikja ime.

Kënga e Këngëve 4:7

Është vërtet i mrekullueshëm admirimi i Zotit për Kishën e Tij, ndërsa përshkrimi i bukurisë së saj të lë pa fjalë. Ajo nuk është vetëm e bukur, por është “e tëra e bukur”. Ai e vështron në Veten e vet, të larë nga gjaku i Tij mëkatshlyes, të veshur me drejtësinë e Tij të lavdërueshme, dhe e konsideron atë plot hir e bukuri. Nuk është aspak çudi që e sheh kishën në këtë mënyrë, sepse, në fund të fundit, nuk po admiron gjë tjetër veç përsosmërisë së Vet; sepse shenjtëria, lavdia dhe përsosja e Kishës së Tij janë vetë petkat e Tij të lavdishme, të veshura nga bashkëshortja e Tij shumë e dashur. 

Ajo nuk është vetëm e dëlirë dhe me trup të rregullt; ajo është pa dyshim e bukur dhe e hijshme! Ajo është vërtet për t’u lëvduar! Shformimet e saj prej mëkatit janë zhdukur; por për më tepër, ajo ka fituar përmes Zotit të saj një drejtësi të lavdërueshme, me anë të së cilës i është falur bukuria e vërtetë. 

Besimtarët kanë një drejtësi të sigurt, e cila u është falur kur “na zgjodhi në të” (Efesianëve 1:4). Kisha nuk është thjesht e bukur—ajo është e bukur sa s’bëhet. Zoti e quan atë: “O më e bukura e grave” (Kënga e Këngëve 1:8). Ajo ka një vlerë dhe shkëlqim të vërtetë, me të cilët nuk krahasohen dot as të gjithë fisnikët dhe mbretërit e mbarë botës. 

Nëse Jezusi mund ta ndërronte nusen e Vet të zgjedhur me të gjitha mbretëreshat dhe perandoreshat e dheut, apo madje me engjëjt e qiellit, nuk do ta bënte, pasi, për Të, ajo është e para dhe më e bukura. Ashtu si hëna, ajo shkëlqen më shumë se yjet. Ky nuk është një mendim të cilin Zoti ynë druhet ta ndajë me të tjerët, sepse Ai i fton të gjithë që ta dëgjojnë atë. Ai vendos një “sa” në fillim të mendimit, pra, shpreh një intonacion të veçantë thirrmor, duke i ftuar të gjithë dhe duke mbërthyer vëmendjen e tyre. “Sa e bukur je, o mikja ime, sa e bukur je!” (Kënga e këngëve 4:1). Ai e bën të njohur gjerësisht edhe sot mendimin e Tij, dhe një ditë do ta shpallë këtë të vërtetë nga froni i lavdisë së Tij përpara gjithësisë së mbledhur së bashku. “Ejani, të bekuar të Atit tim” (Mateu 25:34), kjo do të jetë shpallja e Tij solemne për hijeshinë e të zgjedhurve të Vet.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin