spurgeon dev 19 shtator pm
September 2023

“Jam lutur për të pasur këtë djalë.”

1 i Samuelit 1:27

Shpirtrat e devotshëm kënaqen tek reflektojnë për ato mëshira të cilat i kanë siguruar si përgjigje të lutjeve të tyre, sepse në to mund të shohin dashurinë e veçantë të Perëndisë për ta. Nëse i pagëzojmë bekimet tona me emrin Samuel—domethënë, “iu kërkua Perëndisë”—ato do të jenë po aq të dashura për ne, sa ishte ai fëmijë për Anën. Penina kishte shumë fëmijë, por ata erdhën si bekime të zakonshme të pakërkuara në lutje. Fëmija i vetëm i Anës, kjo dhuratë e qiellit, ishte edhe më i çmuar, sepse ishte fryti i lutjeve të përnjëmendta. Sa i ëmbël ishte uji që gjeti Sansoni te “[pusi i atij që u lut] En-Hakore” (Gjyqtarët 15:19)!

A nuk u lutëm vallë për kthimin në besim të fëmijëve tanë? Sa dyfish e ëmbël është kur, pasi të jenë shpëtuar, të shohim në ta plotësimin e lutjeve tona! Është më mirë të ngazëllehemi për ta si fryti i përgjërimeve tona, sesa si fryti i trupave tanë. A nuk i kemi kërkuar vallë Zotit ndonjë dhuratë të zgjedhur frymërore? Kur të vijë te ne, do të jetë e mbështjellë me mantelin e artë të besnikërisë dhe të së vërtetës së Perëndisë, dhe do të jetë dyfish e vyer. Vallë, a nuk jemi lutur për sukses në veprën e Zotit? Sa e gëzueshme është begatia që vjen duke fluturuar mbi krahët e lutjes!

Më e mira është që gjithmonë t’i sjellim bekimet në shtëpinë tonë përmes rrugës së drejtë, me anë të derës së lutjes; atëherë ato do të jenë vërtet bekime dhe jo tundime. Edhe atëherë kur lutja jonë nuk përmbushet menjëherë, bekimet bëhen gjithnjë e më të pasura për shkak të vonesës; fëmija Jezus u bë edhe më i dashur në sytë e Marisë kur ajo e gjeti Atë pasi e kishte kërkuar. Atë që e fitojmë përmes lutjes, duhet t’ia përkushtojmë Perëndisë, ashtu siç veproi Ana me Samuelin. Dhurata erdhi nga qielli, prandaj le t’i falet qiellit. Lutja e solli, mirënjohja këndoi mbi të—lëre përkushtimin që ta shenjtërojë! Ja ku do të jetë një rast i veçantë për të thënë: “Të kam kthyer atë që kam marrë nga dora Jote.” Lexues i dashur, a është lutja rrahja e zemrës sate apo lodhja jote? Cila është, pra, nga të dyja?


© dritez.al 2024

EtiketaSpurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin