spurgeon dev 19 maj pm
Maj 2023

Dhe kërkoi të vdesë.

1 i Mbretërve 19:4

Ishte një gjë e jashtëzakonshme ta shihje njeriun që nuk do të vdiste kurrë, të cilit Perëndia i kishte caktuar një fat jashtëzakonisht të mbarë, njeriun që do të çohej në qiell mbi një karro të zjarrtë, që do të zhvendosej pa parë vdekje me sy, të lutej në këtë mënyrë: “Tani mjaft, o ZOT! Merre jetën time, se unë nuk jam më i mirë se etërit e mi!”. Këtu, pra, kemi një provë të paharrueshme se Perëndia nuk u përgjigjet lutjeve tona gjithmonë ashtu siç dëshirojmë ne, megjithëse, në fakt, Ai nuk lë lutje pa iu përgjigjur. Ai i dha Elias diçka më të mirë sesa ai kërkoi, dhe kështu, e dëgjoi vërtet dhe iu përgjigj [lutjes së këtij të fundit]. Të duket çudi që zemërluanin Elia e kishte lëshuar kaq keq zemra për shkak të kërcënimeve me vdekje të Jezebelit, dhe megjithatë, sa bekim i madh ishte fakti që Ati qiellor nuk iu përgjigj shërbëtorit të Vet të dëshpëruar ashtu si ky i fundit dëshironte! 

Paska, pra, një cak edhe për doktrinën e lutjes me besim! Nuk duhet të presim që Perëndia të na japë gjithçka që vendosim t’i kërkojmë Atij. E dimë se ka raste kur kërkojmë dhe nuk marrim, sepse kërkojmë keqas. Nëse kërkojmë gjërat që nuk na janë premtuar—nëse shkojmë kundër frymës që Zoti dëshiron të kultivojmë—nëse kërkojmë diçka në kundërshtim me vullnetin e Tij ose dekretet e provanisë së Tij—nëse kërkojmë me të vetmin qëllim që të kënaqim interesat tona dhe pa pasur ndër mend lavdinë e Tij, atëherë, më mirë të mos presim fare se do të marrim përgjigje. Mirëpo, kur lutemi me besim, duke mos dyshuar, nëse nuk marrim të njëjtën gjë që kërkuam, ne do të marrim ekuivalentin e saj, dhe madje diçka shumë më të mirë sesa ekuivalentin e saj në këmbim. Ashtu siç ka thënë dikush: “Nëse Zoti nuk paguan në argjend, do të paguajë me flori; dhe nëse nuk paguan me flori, do të paguajë me diamante.” Nëse nuk të jep pikërisht gjënë për të cilën u lute, Ai do të të japë diçka të barasvlershme me të, gjë të cilën do të jesh i lumtur ta marrësh në vend të asaj që kërkove.

Prandaj, lexues i dashur, ngulmo në lutje dhe ktheje këtë mbrëmje në një kohë ndërmjetësimi të zellshëm, por ama ki kujdes se çfarë kërkon!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin