spurgeon dev 19 maj am
Maj 2023

Kam parë shërbëtorë mbi kuaj dhe princa të ecin më këmbë si shërbëtorë.

Predikuesi 10:7

Pasanikët e rinj rëndom zënë vendet më të larta, ndërsa ata që janë vërtet të mëdhenj, përleshen në errësirë. Kjo është një enigmë e provanisë, zgjidhja e së cilës, një ditë do t’i gëzojë zemrat e të drejtëve; por është gjithashtu diçka që ndodh kaq shpesh, saqë asnjëri prej nesh nuk ka se përse të ankohet, nëse qëllon të përballemi me një përvojë të tillë. Kur Zoti ynë gjendej mbi tokë, Ai eci në shtegun e rraskapitjes dhe të shërbimit, si Shërbëtori i shërbëtorëve, megjithëse është Princi i mbretërve të tokës.

Prandaj nuk ka asgjë për t’u habitur nëse edhe ndjekësit e Tij, të cilët janë princa prej gjakut mbretëror, konsiderohen si njerëz të përbuzur dhe të ulët. Bota është kthyer përmbys dhe, si rrjedhojë, të parët janë bërë të fundit dhe të fundit të parët. Pa shiko se si bijtë puthadorë të të Paudhit ecin duke u kapardisur këtu në tokë! Sa lart e mbajnë veten ata! Davidi endet maleve, ndërsa Sauli sundon e mbretëron; Elia ankohet brenda në shpellë, kurse Jezebeli ngrefoset në pallat. Mirëpo, kush do të dëshironte t’ua zinte vendin rebelëve krenarë? Dhe nga ana tjetër, kush nuk mund t’i ketë zili shenjtorët e përbuzur? Kur gjërat të shkojnë në vendin e vet, ata që kanë rënë poshtë, do të ngrihen, dhe më të lartët do të rrëzohen. Durim, pra, besimtar, përjetësia do t’i korrigjojë gabimet e kohës!

Mos rënçim në gabimin që t’i lëmë pasionet dhe dëshirat tona mishërore të ngadhënjejnë, ndërkohë që fuqitë tona më fisnike dergjen në pluhur! Hiri duhet të mbretërojë si princ dhe t’i kthejë gjymtyrët e trupit në instrumente drejtësie. Fryma e Shenjtë është dashurues i rregullit, dhe për pasojë, i vë fuqitë dhe aftësitë tona në vendin dhe pozicionin e duhur, duke u dhënë hapësirë më të madhe atyre aftësive frymërore që na lidhin me Mbretin e madh. Le të mos e prishim këtë rregullim hyjnor, por të lutemi për hir, që ta mbajmë nën kontroll trupin tonë dhe që ta nënshtrojmë atë! Nuk u rilindëm si krijesa të reja që t’i lejojmë pasionet tona [të ulëta] të na sundojnë, por që edhe ne, si mbretër, të mund të mbretërojmë me Krishtin Jezus mbi mbretërinë e trefishtë të frymës, shpirtit dhe trupit, për lavdinë e Perëndisë Atë.


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>