spurgeon dev 18 nëntor pm
November 2023

Ti je i tillë nga përjetësia.

Psalmi 93:2

Krishti është i përjetshëm. Prandaj, edhe mund t’i këndojmë Atij bashkë me Davidin: “Froni yt, o Perëndi, vazhdon në përjetësi” (Psalmi 45:6). Ngazëllehu, o besimtar, në Jezu Krishtin, i cili është i njëjtë dje, sot dhe përjetë! Jezusi ishte nga përjetësia. Foshnja e lindur në Bethlehem iu bashkua Fjalës, e cila ishte që nga fillimi, përmes së cilës u krijuan të gjitha gjërat. Titulli me të cilin Krishti ia zbuloi Veten Gjonit në Patmos është: “[Ai] që është dhe që ishte dhe që vjen” (Zbulesa 1:8). Në qoftë se nuk do të ishte Perëndi që nga përjetësia, nuk do ta donim me kaq përkushtim; nuk do të mund ta dinim se kishte ndonjë pjesë në dashurinë e amshueshme, që është burimi i të gjitha bekimeve të besëlidhjes. Mirëpo, duke qenë se ishte që nga gjithë përjetësia me Atin, zanafillën e dashurisë hyjnore e gjejmë tek Ai, po aq sa tek Ati i Tij dhe tek i bekuari Frymë. 

Ashtu siç ishte përherë Zoti ynë, kështu është edhe për gjithë përjetësinë. Jezusi nuk është i vdekur; “...gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta” (Hebrenjve 7:25). Drejtoju Atij në çdo kohë nevoje, sepse është gjithmonë në pritje që të të bekojë! Për më tepër, Jezusi, Zoti ynë do të jetë për jetë e mot. Në qoftë se Perëndia do të ta kursejë jetën derisa të arrish maksimumin e ditëve të tua mbi këtë tokë, do të zbulosh se gurra e Tij pastruese është ende e hapur, dhe se gjaku i Tij i çmuar nuk e ka humbur fuqinë e vet; pra, do të zbulosh se Prifti që e mbushi burimin shërues me gjakun e Vet, jeton për të të pastruar prej të gjitha mëkateve. Edhe kur të të mbetet beteja jote e fundit për t’u luftuar, ke për të parë se dora e Komandantit tënd fitimtar nuk është dobësuar—Shpëtimtari i gjallë do t’i japë zemër shenjtorit që jep shpirt. Kur të ngjitesh në qiell, Atë do ta gjesh atje, mbuluar me vesën e rinisë së Tij; dhe për gjithë përjetësinë, Zoti Jezus do të vazhdojë të jetë burimi i amshuar i gëzimit, jetës dhe lavdisë për njerëzit e Tij. Ti mund të nxjerrësh ujë të gjallë prej këtij pusi të shenjtë!

Jezusi ishte përherë, është përgjithmonë, dhe do të jetë përjetë. Ai është i përjetshëm në të gjitha atributet, ofiqet dhe fuqinë e Tij, sikundër është edhe i gatshëm për ta bekuar, ngushëlluar, ruajtur dhe kurorëzuar popullin e Vet të zgjedhur.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin