spurgeon dev 17 am
October 2023

Davidi tha në zemrën e vet: “Ndonjë ditë unë do të vritem nga dora e Saulit.”

1 i Samuelit 27:1

Fjalët që Davidi tha në zemër të vet, në këtë rast përbënin një mendim të gabuar, sepse nuk kishte asnjë justifikim të mendonte se vajosja që kishte marrë prej Perëndisë përmes Samuelit, do të mbetej një akt i zbrazët dhe i pavlerë. Zoti nuk e kishte braktisur në asnjë rast e rrethanë shërbëtorin e Tij. Megjithëse ishte gjendur shpesh në situata të rrezikshme, asnjëherë nuk kishte mbetur pa u shpëtuar falë ndërhyrjes hyjnore. Sprovat me të cilat ishte ishte përballur, ishin nga më të ndryshmet; ato nuk kishin qenë vetëm të një forme, por të larmishme—megjithatë, në çdo rast, Ai që e sillte sprovën, po ashtu, në hirin e Tij, e caktonte një rrugëdalje prej saj. Davidi zor se kishte ndonjë shënim në ditarin e tij ku mund ta vendoste gishtin dhe të thoshte: “Ja ku është treguesi që Zoti do të më braktisë”, sepse e gjithë rrjedha e jetës së tij deri në atë çast provonte të kundërtën. Duke u nisur nga ajo që Perëndia kishte bërë për të në të kaluarën, duhet të kishte nxjerrë përfundimin se Ai do të vazhdonte të ishte mbrojtësi i tij. 

Mirëpo, a nuk e vëmë edhe ne në dyshim në të njëjtën mënyrë ndihmën e Perëndisë? Vallë, a nuk është ky një mosbesim pa shkak? A kemi pasur ndonjëherë qoftë edhe një fije arsyeje për ta dyshuar mirësinë e Atit tonë? Vallë, a nuk ka qenë e mrekullueshme deri më sot dashamirësia e Tij? Vallë, a ka pasur ndonjë rast kur Ai e ka zhgënjyer besimin tonë? Perëndia ynë nuk na ka lënë asnjëherë në baltë. Kemi kaluar net të zeza pis, por ylli i dashurisë ka shkëlqyer mes territ të tyre; kemi kaluar mes konfliktesh të ashpra, por Perëndia nuk mbeti asnjëherë pa e ngritur mbi kryet tona shqytin e mbrojtjes sonë. Kemi kaluar shumë sprova, por asnjëherë për të keqen tonë, dhe gjithnjë për të mirën tonë. Përfundimi që nxjerrim nga përvoja jonë është se, Ai që ka qenë me ne në gjashtë vështirësi, nuk do të na braktisë në të shtatën.

Ajo që kemi ditur për Perëndinë tonë besnik, na dëshmon se Ai do të na ruajë deri në fund. Prandaj, le të mos e lëmë arsyetimin tonë që t’u kundërvihet provave që kemi në dispozicion. Si mund të jemi kaq zemërngushtë, sa të dyshojmë në Perëndinë tonë? Zot, përmbyse Jezebelën e mosbesimit tonë dhe le ta shqyejnë qentë!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin