spurgeon dev 16 pm
Tetor 2023

Sepse pranë teje është burimi i jetës.

Psalmi 36:9

Gjatë jetës sonë frymërore ka periudha kur këshilla ose ndjeshmëria njerëzore, ose praktikat e besimit, as na ngushëllojnë dhe as na vijnë dot në ndihmë. Vallë, përse e lejon një gjë të tillë Perëndia ynë i hirit? Ndoshta për shkak se kemi jetuar kaq gjatë pa Të, dhe kështu Atij i duhet të na privojë nga çdo gjë, në të cilën e kemi bërë zakon të mbështetemi, me qëllim që të na shtyjë drejt Vetes. Është një bekim i madh të jetosh pranë kryeburimit. Kur i kemi plot shishet e ujit, na e ka ënda të shkojmë në shkretëtirë si Agari dhe Ismaeli; por kur ato janë bosh, përveç Vetë Perëndisë, asgjë tjetër nuk na bën derman.

Jemi si biri plëngprishës; na pëlqejnë shumë lendet e derrave dhe kështu e harrojmë shtëpinë e Atit tonë. Ki parasysh se edhe normat e praktikave të besimit mund t’i kthejmë në tharqe dhe lende derrash. Ato janë vërtet gjëra të bekuara, por në qoftë se i vendosim aty ku vetëm Perëndisë i takon të qëndrojë, ato nuk kanë më asnjë vlerë. Gjithçka mund të kthehet në një idhull nëse na mban larg Perëndisë: madje edhe gjarpri i bronztë duhet të përçmohet kur e adhurojmë në vend të Perëndisë. Djali plëngprishës nuk ishte asnjëherë më i sigurt, sesa atëherë kur u detyrua të kthehej në shtëpinë e Atit, sepse nuk kishte asnjë vend tjetër ku të mbahej gjallë. Zoti ynë na jep favor përmes zisë së bukës, me qëllim që kjo gjë të na shtyjë ta kërkojmë edhe më shumë se më parë.

Pozita më e mirë për një të krishterë është të jetuarit tërësisht dhe drejtpërdrejt në hirin e Perëndisë—të qëndruarit atje ku ishte në fillim—“si njerëz që s’kanë asgjë, por kanë gjithçka” (2 e Korintasve 6:10). Le të mos mendojmë për asnjë çast se qëndresa jonë varet nga shenjtërimi ynë, nga vrasja e mëkatit tonë, nga hiret tona apo nga ndjenjat tona. Mirëpo, ji i sigurt për këtë, që u shpëtuam për shkak se Krishti ofroi një shlyerje të plotë për mëkatin; sepse jemi të plotë në Të. Duke mos pasur në vetvete asgjë tek e cila të besojmë, por duke qëndruar vetëm në meritat e Jezusit, ne e dimë se vuajtja e Tij në kryq dhe jeta e Tij e shenjtë përbëjnë të vetmin themel të fortë sigurie. I dashur, kur na zë etja, nuk humbasim kohë. por i drejtohemi plot ëndje burimit të jetës!


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>