spurgeon dev 17 shtator am
September 2023

“Ma sillni!”

Marku 9:19

I dëshpëruar e i zhgënjyer, ati i mjerë ua ktheu krahët dishepujve dhe iu drejtua Mësuesit të tyre. I biri ishte në pikën e fundit, dhe asnjë mjekim nuk i kishte bërë derman, por fëmija i mjerë shpëtoi sa hap e mbyll sytë nga i ligu, sapo i ati iu bind me besim fjalëve të Zotit Jezus: “Ma sillni këtu!”.

Fëmijët janë një dhuratë e vyer nga Perëndia, por ama shkaktojnë telashe të panumërta. Ata mund të jenë një gëzim ose hidhërim i madh për prindërit e tyre; ata mund të jenë të mbushur me Frymën e Perëndisë ose të kapluar nga fryma e së keqes. Sidoqoftë, në Fjalën e Perëndisë gjejmë një recetë për shërimin e të gjitha të sëmundjeve të tyre: “Ma sillni këtu!”.

Ne duhet të bëjmë lutje përgjëruese për ta teksa janë ende foshnja! Mëkati është i pranishëm; le të fillojmë, pra, ta sulmojmë me lutjet tona! Thirrjet tona drejtuar Perëndisë për pasardhësit tanë duhet t’u paraprijnë të qarave që shënojnë hyrjen e tyre në një botë mëkati. Në ditët e rinisë së tyre do të dallojmë prova trishtuese të asaj fryme shurdhe dhe memece, e cila as nuk lutet dhe as nuk e dëgjon zërin e Perëndisë në shpirt, por megjithëkëtë, Jezusi na urdhëron: “Ma sillni këtu!”. Ne nuk duhet të pushojmë kurrë së luturi për ta, derisa të japin shpirt. Nuk ka asnjë rast të pashpresë për Jezusin e gjallë. 

Ndonjëherë, Zoti i lë njerëzit e Vet të përfundojnë me shpatulla pas murit, me qëllim që të mësojnë se sa i domosdoshëm është Ai për ta. Fëmijët jobesimtarë, duke na dëshmuar pafuqinë tonë përballë shthurjes së zemrave të tyre, na shtyjnë që të shkojmë tek i fuqishmi për të fituar forca të reja, dhe ky është një bekim i madh për ne. Cilado qoftë nevoja jonë këtë mëngjes, qoftë ajo si një rrymë e fortë, e cila na çon drejt oqeanit të dashurisë hyjnore! Jezusi e largon sa hap e mbyll sytë trishtimin tonë; Ai gjen kënaqësi kur na ngushëllon. Le të rendim drejt Tij teksa Ai pret të na takojë!


© dritez.al 2024

EtiketaSpurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin